Nga ZOJE JAKAJ (XHOI)*

Pyetjet më të shpeshta që shqetësojnë sot adoleshentët. Përgjigjet që duhet të keni gjithnjë gati për t’i qetësuar ata…

Ndryshimi i trupit të tij\asaj e bën që gjithçka rreth e rrotull t’i duket ndryshe, brenda një dite kalon disa gjendje, hare, gëzim, trishtim, pesimizëm. Mund të ndjehet konfuz i pasigurt, shpërthyes, nervoz, kërkon përsosmëri fizike, veshje që e identifikojnë dhe e bëjnë të bie në sy e të ndjehet në qendër të vëmendjes dhe nëse nuk gjejnë ambient të përshtatshëm për t’u shprehur, ata i mundojnë një numër i madh pyetjesh që duan menjëherë përgjigjen e duhur?

1- Si është adoleshenca për mua?
– Si për të gjithë, plot emocione dhe herë-herë e vështirë.
– Përse ndjehem i vetmuar?
– Thjeshtë kjo të duket ty.
Ndodh që nuk kuptoj as veten time?
– Sepse kjo është periudha që ti do njohësh vetveten
– Pse kam një ndjenjë frike për të ardhmen?
– Është mëse normale, kjo u ndodh edhe të tjerëve, madje shpesh dhe të rriturve.
Perse mua nuk më do askush?
– Është vetëm përshtypja jote, gjithnjë do kesh mbështetjen e familjes.
Unë ndjehem i\e shëmtuar?
– Sepse trupi yt dhe fytyra jote po ndryshojnë, ato tani duan një disiplinim tjetër.

2 – Unë do rritem shpejt apo ngadalë? Sa zgjat adoleshenca tek unë?
– Është proces i gjatë, me pengesa, do kohën e saj që ti të ndjehesh i maturuar.
– A do jem i\e suksesshme në jetë?
– Po, nëse ti e dëshiron një gjë të tillë, ama kjo do durim, vullnet dhe punë.
– A do kem një ditë financat e mia, edhe pse jam akoma në adoleshencë?
– Që tani mund të kursesh, por të ardhurat individuale krijohen me punë.
– A do të martohem unë një ditë?
Sigurisht që po, kur ti të jesh i maturuar për të mbajtur përgjegjësi.

3 – Prindërit më bezdisin se më ruajnë, a është e drejtë kjo në adoleshencë.
– Sepse merakosen për ty dhe duan të të orientojnë mirë.
– Të gjithë më bezdisin në shtëpi.
– Të duket ty. Sepse tashmë ke nevojë për hapësirat e tua individuale.
– A jam gati të jetoj pa prindërit, që mua më lodhin me ndërhyrje?
– Sa më gjatë shtyje jetesën me ta, familja është vendi më i sigurt për ty.

4 – Si ta kuptoj që jam në adoleshencë ?
– Ajo është brenda trupit tënd dhe komandohet nga truri.
– Pse gjendja shpirtërore më ndryshon më shpejt se më parë?
– Sepse trupi yt ka filluar të prodhojë hormone dhe vjen një zhvillim i shpejtë i fizikut tënd.
– Pse shpesh ndjehem i\e rënduar, ngathët, hutuar, i\e nënvlerësuar?
– Do ndodhë shpesh, deri sa trupi yt të rritet plotësisht dhe të marrë formë normale.

5 – A është dashuria e parë që ndodh në adoleshencë më e madhja në jetë?
– Ashtu të duket ty, edhe mund të jetë, por kjo ndodh shumë rrallë.
– Pse dhëmb ndonjëherë dhe dashuria?
– Kjo ndodh se të pushton një ankth i ëmbël kur ti je i dashuruar deri te veshët.
– A është gabim të dashurosh në adoleshencë, kur ndodh për herë të parë?
– Nuk ka rregulla dashuria, vjen dhe ikën kur do vetë, ajo shpon dhe del si rrufeja.
– Humbja e një dashurie nuk shërohet kurrë?
– Po, shërohet, edhe pse në fillim duket e pamundur.
– A është dashuri kur imagjinoj dikë nga larg?
– Po është dashuri ëndërrimtare dhe në adoleshencë kjo ndodh shpesh.
– A është normale që nuk dëshiroj të fle me të akoma, por ëndërroj?
– Ne adoleshence është plotësisht normale, thjesht lëre të të udhëzojë mendja.

6 – A ka dashuri pa seks në adoleshencë?
Gjithçka do ti, në bazë të asaj që ndjen e mendon, pa sforcime është normale.
– Përse djemtë janë më të prirur pas aktit seksual më shpejt se vajzat?
– Se ndërtimi i tyre biologjik është i tillë që tërhiqen me shpejt se vajzat.
– Kush është kufiri i hyrjes në marrëdhënie në adoleshencë?
– Nuk ka moshë fikse, por sa më vonë, më mirë. Në mënyrë të vijë dhe pjekuria psikike.

7 – A duhet të mbrohem në adoleshencë?
– Patjetër dhe rregullisht, me kontraceptivë dhe me pilula, por edhe me këshillim mjekësor.
– A është e rrezikshme marrë-dhënia pa mbrojtje?
– Po sepse të dy palët rrezikohen nga SST dhe nga një shtatzani e padëshiruar.
– A janë të dëmshme mjetet mbrojtëse?
Nuk shkaktojnë efekte anësore, përjashto tabletat pilula poshtë moshës 14-vjeçare.

8 – Jam në udhëkryq, kam problem me prindërit e rënie në mësime. Çfarë të bëj?
– Në fakt, vëmendja jote është te problemet e tjera, ki kurajo e krijo prioritetet e tua.
– Përse prindërit nuk duan që unë të shkëputem nga shkolla?
– Sepse shkollimi i mirë është një lloj garancie për të ardhmen tënde më të mirë.
– Pse e urrej shkollën dhe dua ta braktis atë?
– Kështu të duket për momentin, thjesht të duhet një shtytje e motivim nga prindërit e mësuesit që të kuptosh dhe ti sa i rëndësishëm është arsimimi yt.
– A jam në gjendje të luftoj për të pasur rezultate në shkollë?
– Po, mjafton që të duash atë gjë dhe e arrin, fol hapur me mësuesit.
– A do më kuptojnë ata?
– Patjetër, çdo shkollë e lëndë ka vështirësi. Mendo se ti arrin gjithçka dëshiron.

9 – Pse bukuria për mua në adoleshencë ka shumë rëndësi?
– Se është mosha e shpërthimit të hormoneve, e zhvillimit të disa pjesëve trupore.
– A duhet të mbaj dietë?
– Kjo moshë ka zhvillime të shumta fizike dhe nuk nevojitet dieta, por kujdes me ushqimet e thata me fast-fudet dhe ëmbëlsirat, pasi ju depozitohen dhjamëra në fytyrë.
– A është i dëmshëm duhani?
– Patjetër, nikotina është shumë e dëmshme për zhvillimin e trurit, thonjtë e flokët.
– Si të kem dhëmbë të bukur edhe në adoleshencë?
Higjiena e gojës, jo duhan as alkool dhe vendosje pa frikë e aparateve drejtuese.

10 – A duhet të merrem me sport?
– Sporti ju ndihmon në zgjatjen e trupit dhe që të bëni jetë të shëndetshme. Ju largon nga veset dhe mbush kohën e lirë.
– A duhet të punoj në adoleshencë?
– Poshtë moshës 18 vjeç duhet të vazhdoni shkollën dhe punë vetëm gjatë verës.
– Ka prindër që kanë nevojë për t’i punësuar fëmijët.
– Në adoleshencë, prioritet është shkolla dhe edukimi me punë vullnetare, nëse lakmoni punën për ca para më tepër xhepi, shkolla juaj rrezikohet.
– A duhet të largohem përfundimisht nga shkolla për të pasur një punë?
– Absolutisht jo, është zgjedhje shumë e gabuar dhe e parakohshme.

Prindër, mësues, psikologë, punonjës socialë, ju vëllezër apo motra me të rritur, gjyshe dhe gjyshër, që i shoqëroni apo përditshmëria juaj është pranë adoleshentëve, mos harroni se edhe ju dikur ishit si ata dhe kishit një lumë të tërë pyetjesh në kokën tuaj, ndonëse në forma të ndryshme, të shprehura apo të pashprehura. Është e udhës të dini të kujdeseni për pyetjet që janë pjesë e rritjes dhe zhvillimit të tyre. Krijojuni atyre mundësinë të flasin dhe të shuajnë kureshtjen, pasi mirërritja e tyre është detyrë e tërë shoqërisë.

Autorja është Dr. shkencash dhe pedagoge
Autore e librit “Adoleshenca në filtrin e dashurisë”

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb