SHKODËR

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i shoqëruar edhe nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kanë udhëtuar sot drejt Shkodrës. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se ministri Lleshaj dhe drejtori i Policisë po zhvillojnë takime me përfaqësuesit e Prefekturës së qytetit.

Kujtojmë se qyteti i Shkodrës ka qenë një ndër qarqet, ku Policia e Shtetit ka përqendruar forcat e saj pas ngjarjes së fundit, ku dy vëllezër mbetën të vrarë pak ditë më parë. Ende nuk ka detaje se për çfarë po diskutohet mes Lleshaj, Veliut dhe drejtuesve të Prefekturës së qyteti  të Shkodrës.

Ditën kur qyteti verior u trondit nga vrasja e dyfishtë  e vëllezërve Bilali,  kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu menjëherë vendosi të largonte nga detyra kreun e policisë në qytetin verior, Vehbi Bushatin dhe në vend të tij caktoi Niko Brahimaj. Ardi Veliu nga studioja e emisionit “A Show’ në News 24 deklaroi këtë të hënë  se Brahimaj është personi i duhur dhe ka eksperiencë në hetimin dhe zbardhjen e rasteve kriminale.

Nga ana tjetër, duke pranuar situatën e rëndë dhe frikën e instaluar tek qytetarët, ministri i Brendshëm tha se ekzekutimi i dy vëllezërve, dyshohet të jetë kryer për larje hesapesh. Mes tjerash,  Lleshaj pohoi se qytetarët nuk duhet të kenë frikë, pasi Policia dhe strukturat e saj po punojnë fuqimisht për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: