Deputeti i PD, Edi Paloka, ka komentuar në “Programin e drekës” në News 24 rolin e LaCivita në fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike.

Paloka theksoi se LaCivita nuk është thjesht një ekspert fushate, por funksionar politik në Partinë Republikane, dhe ka shtuar se do të bëhet publike kontrata me të.

Sipas Palokës, LaCivita ka ardhur në Shqipëri me qëllimin për të mbështetur Sali Berishën, dhe interesi i PD-së është të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me administratën e Trump. Ai ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për korrupsionin.

“Sot ka ndryshuar situata. Ne do mjaftonte një arbitër neutral për të fituar me Ramën. Me këto skandale, Rama nuk fiton kurrë. Arbitri që ka ardhur është në anën tonë. LaCivita është funksionar politik në Partinë Republikane. Sesa ka kushtuar ardhja e LaCivita, kjo do të deklarohet. Nuk ka ardhur thjesht për para. Ai erdhi këtu duke thënë se jam krah Sali Berishës. Kontratën me të do ta bëjmë publike. Interesi ynë është lidhja direkt me administratën e Trump. Nëse shqiptarët zgjedhin Ramën, kanë faj shqiptarët. Rama e tregon përditë që është në panik. Kënetë më të pisët se e Rilindjes nuk ka sot, e mbushur me korrupsion”, tha Paloka.

Më pas, Paloka tha se programi i PD do të shtojë paratë në xhepat e shqiptarëve.

“Në 12 vite situata është ‘betonizuar’, nuk ka vlejtur programi deri dje, sepse Rama ka blerë më të varfërit. Programi i PD iu jep përgjigje të gjitha problemeve. Rama tund pasaportën e BE, a thua se e ka në dorë. Por, nuk ka zgjidhur problemin e varfërisë. PD do të garantojë minimumin jetik 200 euro. Kjo bën që qytetari mos të shitet. Shqiptarët kanë marrë vetëm heqjen e vizave dhe këtë e ka bërë PD-ja. Berisha është lideri i vetëm që mban fjalën e dhënë”, deklaroi Paloka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: