Një incident është regjistruar gjatë një takimi elektoral të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.

Siç shihet në videon që siguron për “BalkanWeb”, gazetarja Eneida Petova, një qytetar i pranishëm në takimin e Klosit i është kthyer i revoltuar këtij të fundit, duke i thënë se qeveria nuk ka bërë asgjë për ta.

“Çfarë votash kërkoni nga ne kur nuk keni bërë asnjë për fshatin Drenovicë, keni vënë shtyllat dhe s’ka asnjë dritë”, dëgjohet mes të tjerash të thotë banori në takim.

Ky incident është filmuar nga një tjetër banor i pranishëm në takim, i cili e ka publikuar më pas në internet, ku në pak kohë është bërë virale.

Pasi videoja u bë virale, shtetasi Xhimi Gjishti deklaron se është kërcënuar në telefon nga shumë persona. Duke folur për gazetaren Petova, Gjishti deklaron se është marrë disa herë në telefon pa numër dhe është kërcënuar ai dhe familja e tij.

Ai deklaron se është kërcënuar për videon që ka bërë dhe ka frikë për vetën dhe familjen, por edhe se mos dikush i dëmton prodhimin në sera dhe tokat bujqësore. Gjishti deklaron se ka frikë të denoncojë në polici, pasi nuk ka besim tek askush.

“Unë thjesht një fshatar dhe filmova për qejfin tim, për punën që s’jemi të kënaqur me pushtetin, filmova dhe e hodha videon. Tani më kërcënojnë, më thonë pse e hedh videon pa dijeninë tonë. Më kanë marrë në telefon me numër të fshehtë dhe më kanë fyer e ofenduar. Në telefon më kanë bërë sharje, por kërcënime jo, se e kam mbyllur telefonin. Kam frikë për serat, se kam disa sera.

Filmova se jemi të pakënaqur, një fshatar i joni foli për të drejtat e tij dhe unë e filmova. Ai foli për të tëra, investimet, ne s’kemi parë asgjë nga shteti. Ne jemi tetë anëtarë në familje dhe dua të mos kërcënohen e preken ata. Kur po filmoja vetë Blendi Klosi më tha ‘pse filmon, boll se ke shumë kohë që filmon’. I thashë çfarë problemi ke, unë do të filmoj”, shprehet banori i kërcënuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb