Në Shqipëri ish deputeti socialist Alqi Bllako, i arrestuar në mars të këtij viti, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Fierit, mësohet të jetë marrë i pandehur edhe për rastin e inceneratorit të Elbasanit, nën akuzën për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Prokurorët kanë zbuluar disa komunikime të drejtpërdrejta që Bllako ka patur me ata që më vonë do të bëheshin drejtuesit e kompanisë koncensionare që do të merrte përsipër ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, e më pas dhe në Fier.

Ndërsa ishte në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ai i ka mbajtur ata në dijeni të procedurave që po ndiqeshin për rastin e Elbasanit, që përpara se të vendosej ndërtimi i impiantit, kur Këshilli Bashkiak i qytetit vendosi të shpallë gjendjen e emergjencës mjedispre, akt që i hapi rrugë inceneratorit. Po ashtu nga komunikimet elektronike ata mësohet se janë njohur falë Bllakos dhe me draft kontratën koncensionare. Komunikimet mes palëve kanë qenë dhe për çështje private, fakt që i ka shtyrë prokurorët në përfundimin se ata kanë patur njohje me njëri tjetrin.

Arrestimet e para për inceneratorin e Elbasanit u kryen në dhjetor të vitit të shkuar kur u prangos ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndërsa më pas u përfshinë dhe zyrtarë lokalë anëtarë të komisionit që kishte miratuar dhënien me koncension.
Në mars hetimet shtrinë dhe për inceneratorin e Fierit, me arrestimin e ish deputetit Bllako dhe zyrtarëve të tjerë lokalë dhe drejtuesish të impiantit, ndërsa një akuzë e dytë u ngrit ndaj ish ministrit Koka dhe për këtë rast.

Një ditë më parë Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhëra arresti që lidhen po me inceneratorin e Fierit, duke përfshirë ish administratorë të kompanisë dhe drejtuesë shoqërish private që dyshohet të kenë kryer manovra financiare fiktive me vlera disa milionë eurosh. Vetëm 5 prej tyre u arrestuan. Të tjerët u shpallën në kërkim. Mes tyre dhe dy ish administratorë të inceneratorit të Tiranës, të dyshuar se janë përfshirë në pagesën fiktive të babait të ish deputetit socialist Alqi Bllako, që rezultonte të kishte vetëm emrin si i punësuar në këtë kompani./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: