Prestige MFC ishte i pafat në dy ndeshjet e para të grupit në Champions League. Pavarësisht lojës së mirë, ekipi shqiptar i minifutbolli regjistroi një barazim dhe një humbje.

I shortuar në grupin A, Prestige barazoi 2-2 në sfidën e parë me sllovakët e Edma Patrioti, ku autorët e golave për ekipin nga Shqipëria ishin Shima dhe Hysko.

Në ndeshjen e dytë, me boshnjakët e Sipas, Prestige bëri një pjesë të parë fantastike, duke kaluar 3-1 në avantazh. Të tre golat i shënoi Fatmir Hysenbelliu, njëri më i bukur se tjetri, sidomos i fundit i realizuar nga një goditje dënimi, duke carë murin e krijuar nga skuadra rivale.

Gjithsesi, pjesa e dytë ishte jo e mirë për ekipin shqiptar, pasi rivalët jo vetëm që barazojnë, por përmbysin në 5-3. Prestige i duhet fitorja patjetër në sfidën e tretë për ta kaluar grupin. Në këtë turne që zhvillohet në Malin e Zi, marrin pjesë 24 ekipe të ndara në 6 grupe.

Në fazën me eliminim direkt kalojnë dy ekipet e para të çdo grupi dhe 4 vendet e treta më të mira. Prestige MFC është ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur të shkojnë deri në fazën gjysmëfinale të Champions League në miniftuboll.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb