Champions League ka dhuruar të tjera emocione dhe gola në sfidat e mbrëmjes së sotme që përmbyllën dhe ndeshjet e 5-ta në grupe.

Në grupin E tashmë llogaritë janë mbyllur totalisht pas fitoreve të Chelsea-s dhe Krasnodar. Londinezët shpartalluan 0-4 Sevilla-n në Spanjë, falë një protagonisti, Oliver Giroud. Francezi ishte i papërmbajtshëm duke shënuar 4 golat e sfidës, një prej të cilëve me penallti. Chelsea i Lampard siguron vendin e parë në grup, teksa Sevilla kënaqet me vendin e dytë. Krasnodar vijon aventurën në Europa League kurse Rennes i fundit.

Barcelona dhe Juventus e kanë shtyrë për në ‘Camp Nou’ sfidën për kreun. Të dyja skuadrat fituan nga 3-0 përballë Ferencvaros dhe Dynamo Kiev. Në ndeshjen e fundit Barcelona është më e avantazhuar pasi e ka mposhtur më herët Juventusin 0-2 në Itali si dhe ka 3 pikë më shumë.

Grupi H është më i hapur se kurrë dhe dy skuadrat që do të kualifikohen do të vendosen vetëm në sfidat e fundit. PSG mposhti Manchester United në ”Old Trafford” me rezultatin 1-3. Nga ana tjetër Leipzig mposhti në fund 3-4 Istanbul Basaksehir. Tashmë në këtë grup Manchester United, PSG dhe Leipzig janë me nga 9 pikë, kurse jashtë gare ka mbetur vetëm Basaksehir.

Më i avantazhuar në ndeshjen e fundit duket PSG që pret turqit pa pretendime në Paris, kurse përballje e fortë pritet në Gjermani mes Leipzig dhe Manchester United.

Dortmund dhe Lazio nuk shkuan më tepër se një barazim 1-1. Kjo i mjaftoi gjermanëve të sigurojnë kualifikimin, por jo vendin e parë. Nga ana tjetër lacialët mbeten 1 pikë larg kreut, por pas kanë kërcënimin e Club Brugge që i presin në sfidën e fundit në Romë me vetëm 2 pikë mbrapa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb