TIRANË-Reali i Madridit është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por jo me kokën lart, pasi pësoi humbje me rezultatin 3-4 nga Schalke para tifozëve në ‘Santiago Bernabeu’.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Gjermani përfundoi me fitore prej 2-0 të ‘Los Blancos’ dhe pas ndeshjes kthyese kampionia në fuqi vazhdon në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 5-4.
Ishte një fillim i furishëm i takimit me një angazhim mahnitës të skuadrës mysafire, e cila arriti e para deri te goli. Christian Fuchs realizoi pas harkimit të Barnettas (20’).
Megjithatë shumë shpejt erdhi reagimi i spanjollëve. Kroos harkoi nga këndi, ndërsa Cristiano Ronaldo shënoi me kokë (25’).
Pas golit të barazimit, loja u qetësua, por gjermanët filluan të rrezikojnë sërish dhe pas disa shanseve dhe goditjes së shtyllës, Klaas-Jan Huntelaar realizoi (40’).
Por Ronaldo arriti ta barazojë sërish takimin (45’). Coentrao harkoi nga e majtë, ndërsa Ronaldo shënoi golin e dytë me kokë.
Spektakli vazhdoi edhe në pjesën e dytë të sfidës. Karim Benzema krijoi hapësirë dhe i kalo vendasit në epërsi për herë të parë këtë mbrëmje (53’).
Por, një gol fantastik nga debutuesi në garën evropiane, Leroy Sane, e solli sërish takimin në baraspeshë (57’).
Drama u shtua akoma më shumë në minutat e fundit kur Klaas Jan Huntelaar realizoi golin e fitores për ekipin gjerman (84’).
Sidoqoftë, përkundër presionit dhe rasteve, Schalke nuk arriti ta shënonte golin që i dërgonte në çerekfinale dhe në këtë mënyrë u eliminua nga Liga e Kampionëve.
Real Madridi vazhdon të shpresojë për atë që nuk e ka bërë askush deri më tani – ta fitojë dy herë radhazi Ligën e Kampionëve.
Ndërsa në takimin tjetër, skuadra e Portos është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi ka mposhtur me rezultat përfundimtar prej 5-1 skuadrën e Baselit, ku u paraqitën futbollistët shqiptarë, Shkëlzen Gashi e Taulant Xhaka.
Porto shtoi presionin mbi Baselin që në fillim të ndeshjes dhe golin e epërsisë e arriti përmes Yacine Brahimit i cili shënoi një super-gol nga gjuajtja e lirë(14’).
Pas golit të Brahimit, Porto mori kontrollin e lojës në tërësi dhe goditjet e Casemiros e Vincent Aboubakar për pak sa nuk përfunduan në rrjetën e Baselit.
Teksa fundi i pjesës së parë po afrohej, Shkelzen Gashi pati një gjysmë-rast për t’u bërë protagonist, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Në pjesën e dytë, Porto shënoi edhe tre gola tjerë, e secili prej tyre ishte më i bukur se tjetri. Fillimisht Hector Herrera shënoi në minutën e 47-të, pasi pranoi një asistim të Brahimit. Pastaj, në minutën e 56-të, Casemiro shënoi një super-gol nga gjuajtja e lirë prej 28 metrave distancë.
Ndërsa, për rezultatin përfundimtar të takimit prej 4-0 u përkujdes Aboubakar i cili shënoi poashtu një gol të bukur nga 20 metra distancë.
Me këtë fitore, Porto kualifikohet në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve me rezultat përfundimtar nga të dy ndeshjet 5-1.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: