Napoli fitoi 2-0 në ndeshjen e parë të Champions League ndaj Frankfurtit, ndaj në takimin e kthimit italianëve do u duhet thjeshtë të menaxhojnë rezultatin. Në konferencën e zakonshme për shtyp përpara 90 minutëshit ka dalë edhe mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani.

“Faza mbrojtëse nis nga sulmuesit. Dhe, më pas në momentin që vjen rradha e ne mbrojtësve është më e lehtë të largojmë topin nga zona apo edhe të nisim një aksion të ri. Është sekreti i këtij sezoni. Ndaj Eintracht është një ndeshje shumë e rrezikshme dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm.

E kemi parë që në Bundesligë, Eintrachti ia ka dalë që në shumë raste të përmbysë ndeshjet ndaj janë të mësuar me këtë. Mendoj se janë një skuadër shumë e fortë. Këtë sezon skuadra ka më shumë besim, kjo vjen kur fiton ndeshje pas ndeshje.

Kuptohesh me mesfushorët dhe sulmuesit? Varet nga mënyra se si trajneri i përgatit ndeshjet, mundohemi të kapim pikat e dobta të kundërshtarëve. Spalletti gjithnjë na jep një ide si të mbrojmë dhe më pas të sulmojmë hapësirat. E njohim shpejtësinë e Osimhen dhe kërkojmë shpesh që ta shërbejmë.

Paraqitja personale? Deri më tani kam shënuar shtatë gola, por mund të bëja edhe më shumë. Vitin e kaluar falë skemave të përgatitura me stafin ia dola të shënoja katër dhe kur skemat dalin është më e lehtë të realizosh. Ky goli i fundit ishte pak më i veçantë sepse ishte edhe i vështirë.

Çerekfinalet e Champions? Ndjehet një përgjegjësi, edhe pse kjo është përgjatë gjithë sezonit. në kampionat kemi gjithashtu një mundësi për të hyrë në histori, në Champions e dimë që është diçka speciale për ne lojtarët dhe klubin. Shpresojmë ta mbyllim mirë”, u shpreh Rrahmani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb