Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të ditës së sotme, me grupin E që i zhvillonte përballjet e tij në orën 19:00, teksa janë prerë dhe dy biletat e para për në fazën e 1/8-ave.

Sikundër pritej, Liverpuli ka thyer Salsburgun në Austri me rezultatin 2-0 dhe e ka mbyllur grupin me 13 pikë pas 6 ndeshjeve. Dy gola brenda 60 sekondave të Keita dhe Momo Sala u kanë mjaftuar të besuarve të Klopit për të lënë pas shpine Napolin.

Pikërisht italianët ishin në qendër të vëmendjes ditën e sotme sepse problemet e shumta në muajt e fundit janë pasqyruar dhe në rezultate, duke bërë të Napoli të largohet shumë nga dyshja Inter-Juve që po duelojnë për titullin kampion, por mbi të gjitha ky rezultat shpëton dhe stolin e Karlo Ançelotit, fati i të cilit ishte në pikëpyetje.

Për të larguar hallet e trajnerit, ka menduar një super Arkadiuz Milik, që shënoi tre herë në pjesën e parë në portën e belgëve të Genk, ndërsa në të dytë vulosi rezultatin belgu Mertens. Napoli e mbyll grupin në vendin e dytë me 12 pikë, ndërsa Salcburgu do vijojë aventurën europiane në Europa League pasi u rendit i treti me 7 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb