Reali i Madridit ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në tranfesrtën delikate të Ajaksit. Pretendentët spanjollë fituan, por vuajtën jo pak që ta arrinin këtë sukses, pasi holandezët kërkuan shumë të bënin dëm në këtë sfidë të parë.

Në “Amsterdam Arena”, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, por në minutën e 38-të “harkëtarët” do të shënojnë me Taljafikon, por gjyqtari Skomina do të anulojë për pozicion të parregullt pasi u konsultua me VAR-in, moment historik ky në Ligën e Kampioneve.

Emocionet më të mëdha do të jenë rezervuar në pjesën e dytë, kur madrilenët do të çelin rezultatin në minutën e 60-të me Karim Benzema, që finalizon shkëlqyershëm zbritjen e shpejtë të Vinicius.

Ajaksi nuk do të dorëzohet dhe 15 minuta më pas, do të gjejë barazpeshën, duke konkretizuar lojën e shkëlqyer që po zhvillonte deri në ato momente. Hakim Zijek ndëshkon Kurtuan dhe shkon e ndan gëzimin e tij me tifozët e shumtë.

Por eksperienca e Realit do të bëjë të vetën dhe në minutën e 87-të Marko Asensio, i futur nga stoli, do të realizojë golin e fitores për miqtë, që do të jenë më të qetë në sfidën e kthimit pas dy javësh në Madrid.

Ajaksi: Onana, Taljiafiko, Blind, De Ligt, Mazraoui; De Jong, Van de Bek, Zijesh; Neres, Shone, Tadiç. Trajner: Ten Hag

Real Madridi: Kurtua; Karvahal, Naço, Ramos, Reguilon; Kasemiro, Kros, Modriç; Vinicius, Bejl, Benzema. Trajner: Solari

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: