Grupi A

Paris Sën Zhërmen del me një pikë nga “Bernabeu”, pikë që e lejon të blindojë vendin e parë duke lënë të dytin pikërisht Real Madridin. Ndonëse madrilenët udhëhoqën 2-0 me golin e Benzemas, në çastet e fundit të ndeshjes Mbape dhe Sarabia barazuan çdo gjë. Barazim dhe sfida tjetër mes Gallatasarajit dhe Klub Bryzhit, një rezultat 1-1 që e mban Bryzhin një pikë sipër turqve në luftën për Ligën e Europës. Kryeson PSG me 13 pikë, ndjek Realin me 8, 3 Bryzhi dhe 2 Gallatasaraji.

Grupi B

Bajerni i Mynihut luan tenis në Beograd me Crvena Zvezdën. Një rezultat 6-0 ku spikat katërgolëshi i Levandovskit mes rrjetës së Goreckës në fillim të ndeshjes dhe Tolizos në fund. Totenhemi trembet nga Olimpiakosi që udhëheq 2-0 në 19 minutat e para, por më pas ekipi i Murinjos reagon siç duhet dhe fiton 4-2. Bajerni kualifikohet i pari me 15 pikë, pasi me një ndeshje të mbetur ka 5 pikë më shumë se Totenhemi. Zvezda 3 pikë dhe Olimpiakosi 1.

Grupi C

Siti, i kualifikuar që një javë më parë, e merr lehtë me Shakhtarin dhe mjaftohet me një barazim 1-1, që i lejon ukrainasit të ngjiten në vendin e dytë me 6 pikë. Atalanta arrin fitoren historike në Champions duke mposhtur 2-0 Dinamon e Zagrebit dhe duke u ngjitur në 4 pikë, një më pak sesa kroatët dhe 2 më pak sesa Shakhtari, por me bergamaskët që ëndërrojnë edhe kualifikimin tashmë.

Grupi D

Juventusi ishte kualifikuar, por gjithsesi thyen Atletikon dhe siguron vendin e parë. Një fitore 1-0 me golin e shkëlqyer të Dibalës, që e vendos në hall ekipin e Simeones, që duhet të fitojë patjetër sfidën e fundit me Lokomotivën. Rusët u mposhtën 2-0 nga Leverkuseni dhe gjermanët tashmë shpresojnë te kualifikimi, por duhet të mposhtin Juventusin në takimin e fundit dhe të shpresojnë që Atletiko të mos mposhtë Lokomotivën.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb