Recete nga Eneida
Përbërësit

Për bazën:
300 gr. tërshërë
150 gr. gjalpë
4 lugë rrush të thatë
4 lugë lajthi
1 lugë mjalt

Për mbushjen:
400 gr. krem djathi
200 gr. salcë kosi
4 lugë mjalt
3 fleta xhelatine
100 ml. pana për ëmbëlsirë

Për reçelin:
300 gr. boronica
150 gr. sheqer kaf

Përgatitja
Tërshërën e pjekim pak në furrë, e lëmë të ftohet dhe më pas e grijmë në mikser deri sa të bëhet e imët. Gjithashtu në mikser grijmë rrushin e thatë me lajthitë. Shkrijmë gjalpin dhe e lëmë të ftohet. Në një tas bashkojmë tërshërën, lajthitë, mjaltin, rrushin e thatë dhe gjalpin. Masën e shtrojmë në një tavë dhe e vendosim në frigorifer të ftohet për 30 minuta.
Për mbushjen bashkojmë kremin e djathit me salcën e kosit dhe mjaltin. Xhelatinën e vendosim në një enë me ujë të ftohtë për 15 minuta. E shtrydhim dhe e hedhim te pana të cilën e kemi vendosur në zjarr të ngrohet. Sapo shkrin xhelatina, e kalojmë te kremi i djathit dhe i rrahim bashkë. Masën e shtrojmë mbi bazën me tërshërë.
Boronicat i hedhim në një tenxhere bashkë me sheqerin dhe i ziejmë për 30 minuta. I lëmë të ftohen dhe i shtojmë mbi kremin e djathit.
Cheesecake duhet lënë minimumi 4 orë në frigorifer që të ketë konsistencën e duhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb