Chelsea në orët e fundit të ditës së premte zyrtarizoi trajnerin e ri Maurizio Sarri, i cili zuri vendin e një tjetër italiani, Antonio Conte-s, i shkarkuar të enjten.

Menjëherë pas uljes së Sarri-t në stolin e bluve u njoftua edhe blerja më e re, Jorginho, i ardhur po ashtu nga Napoli për shifrën e 56 mln eurove.

Por Chelsea nuk dëshiron të ndalet këtu për të plotësuar kërkesat e trajnerit të ri, që në Londër mbërriti me ndihmësin Gianfranco Zola, një legjendë e këtij klubi.

Për këtë arsye sipas “Daily Mail” Chelsea ka nisur bisedimet me Juventusin për Gonzalo Higuain, një ish-lojtar i Napolit që Sarri e njeh mjaft mirë.

Problemi është se ‘zonja e vjetër’ për argjentinasin edhe pse është 30-vjeçar kërkon jo më pak se 60 mln euro. Për këtë arsye Chelsea po përpiqet për të futur në bisedime sulmuesin e tyre, Alvaro Morata-n, një ish-futbollist të Juventusit që pëlqehet shumë në Torino.

Po sipas këtij burimi Juventus nuk është më në kërkim të shërbimeve të spanjollit dhe pas blerjes së Ronaldos për më shumë se 100 mln euro kërkon që të mbushë arkat.

Gjithsesi të reja të tjera priten në ditët në vijim për këtë marrëveshje që ka mjaft gjasa të mbyllet me sukses.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb