Situata e Diego Costa-s tek “blutë e londrës” ka ende shumë pikëpyetje. Pas raportimit të zërave që sulmuesi kishte pasur konfrontime me Antonio Conte-n, menjëherë pati skuadra të interesuara për shërbimet e spanjollit, në veçanti ato kineze.

Sot nga Sunday Times është raportuar se Chelsea nuk dëshiron të privohet nga sulmuesi, por nëse vjen një ofertë e çmendur prej 150 mln eurove, atëherë mund t’i thonë “mirupafshim”.

Drejtuesit e skuadrës janë në dijeni të situatës, pasi është raportuar se Shangai SIPG, ku luan edhe ish-shoku i skuadrës, Oscar, ka tentuar të nënshkruaj me lojtarin. Për këtë ata nuk janë kundër , por duan që nga klubi kinez të thyejnë rekordin e transferimeve.

Nuk është çudi që edhe kjo të ndodhë, pasi tashmë dihet fuqia blerëse e skuadrave aziatike, por pavarësisht çdo gjëje kjo do të ishte një e humbje e madhe e Chelsea-s për këtë sezon, pasi është në luftë për titullin kampion dhe dihet që në merkaton e janarit është shumë e vështirë të gjenden lojtarë cilësorë për të zëvendësuar ish-sulmuesin e At. Madrid.

Kujtojmë se rekordi në merkato mbahet nga Paul Pogba, ku në verën e vitit që lamë pas, Manchester United i pagoi 105 mln euro Juventusit për t’a lënë të lirë lojtarin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb