TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka pritur në një takim Cherie Blair, Drejtuese e Studios së Konsulencës Ligjore Omnia Strategy LLP, e cila në bashkëpunim më qeverinë shqiptare ka ndërmarrë një sërë projektesh me Shqipërinë. Blair në vazhdimësi ka shprehur mjaft interes në lidhje me zhvillimet në rajon dhe në vendin tonë dhe së fundmi ka qenë e pranishme gjatë Samitit të Adriatikut për Gazin dhe Naftën, të mbajtur në Mal të Zi, ku janë shpalosur mundësitë për investime në Shqipëri dhe rajon.
Mësohet se gjatë bisedës me Ministrin e Drejtësisë, Blair është shprehur e impresionuar lidhur me efiçencën që po tregojnë institucionet shqiptare dhe ecurinë e tyre pozitive në përpjekje të forcimit të shtetit ligjor.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se rritjes dhe përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, do t’i shërbente konsolidimi i pushtetit gjyqësor dhe se duhet një përpjekje e të gjithë aktorëve, që të përmbushen aspiratat e vendit tonë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në vijim të diskutimit, Blair ka sugjeruar aplikimin e teknologjive të avancuara të informacionit në gjykata, si një masë paraprake që do të ndikonte në uljen e fenomenit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
“Pavarësia në gjyqësor, nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht pandëshkueshmërinë dhe mungesën e llogaridhënies. Gjyqtarët duhet të jenë një komunitet që meriton respekt dhe është shumë e trishtueshme kur dëgjoj në lidhje me perceptimin e publikut dhe mungesën e besimit të tij në sistemin gjyqësor”, -tha Naço.
Ndërkaq ministri Naço e ka njohur Blair lidhur me nismat ligjore të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi, e cila ka shprehur vlerësimin e saj lidhur me ndryshimet në paketën ligjore “Antimafia”, duke e konsideruar një qasje të ndjeshme dhe pragmatiste nismën për sekuestrimin e pasurive të vendosura si pasojë e aktivitetit kriminal.
Ministri Naço ka vlerësuar kontributin e gjithanshëm të Blair, duke veçuar ndër të tjera opinionet dhe ekspertizën e saj mbi proceset reformuese të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: