Kros i Veron nga krahu i djathtë, “vello” e Crespo-s, bombë me të djathtën nga Chiesa, me topin që përfundon në trekëndësh. Një gol i mrekullueshëm, që i ka vënë vulën Kupës UEFA të fituar nga Parma për herën e dytë në historinë e klubit. Ka qenë 1999-ta. Tre vite para këtij momenti Weah ka realizuar një gol legjendar në “San Siro” me fanellën e Milan-it. Në mes ka qenë goli i bukur me hark i Kluivert (gjithmonë me kuqezinjtë) në stadiumin e Vincenza-s. Tri perla për tre kampionë, tre baballarë. Por vitet ’90 janë për nostalgjikët. E tashmja, ose më saktë e ardhmja, është në duart (ose këmbët) e bijve të këtyre ish-kampionëve.

GJENI DHE REKORDE – Federico Chiesa, Tim Weah dhe Justin Kluivert kanë marrë trashëgiminë e baballarëve dhe janë projektuar në të ardhmen. Mbajnë mbi shpatulla peshën e një mbiemri të rëndësishëm, ndërsa në këmbë kanë cilësinë e pastër të trashëguar nga bagazhi gjenetik. Tani mbajnë veshur fanellat e kombëtareve. Ajo e Chiesa-s është e kaltër, portokalli ajo e Kluivert dhe blu ajo e Weah. Blu me yje dhe shirita, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka lindur dhe është rritur nga babai liberian dhe mamaja amerikane, shkruan telesport. Blu, ngjyra me të cilën është bërë pjesë e historisë së futbollit USA: është lojtari i parë i lindur në vitin 2000 që ka debutuar me kombëtaren.

E ARDHMJA E KALTËR – Ka debutuar si Chiesa dhe Kluivert jr. në një fundjavë me shije romantike. I pari që ka veshur fanellën e kombëtares ka qenë pikërisht italiani. Titullar në grumbullimin e parë kundër Argjentinës, e luajtur të premten e kaluar, dhe është kthyer në fushë për takimin me Anglinë. Ka qenë më i miri në 40 minutat e pjesës së dytë, ka fituar penalltinë e barazimit dhe i ka dhënë një siguri më shumë trajnerit të Italisë, cilido që të jetë ai duke filluar nga 20 maji: Federico Chiesa është e ardhmja e “Axurrëve”. Dhe Fiorentina i gëzohet talentit që ka në ekip.

KLUIVERT MPOSHT CR7 — Ashtu siç gëzojnë në Amsterdam dhe në të gjithë Holandën. Kluivert Jr., titullar tek Ajax, këtë vit ka shënuar shtatë gola dhe ka siguruar një vend në kombëtare, në moshën 18 vjeç. Ka luajtur 12 minuta në fitoren 3-0 të marrë nga “Portokallinjtë” kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldo-s, por që i kanë mjaftuar për të treguar se është djalë i babait të tij.

MBIEMËR PRESIDENCIAL – Ai i Tim Weah është një mbiemër presidencial. Babai i tij, ish-fitues i Topit të Artë, tani drejton Liberinë. Ai, për momentin, po provon të ndjekë gjurmët e babait në fushën e lojës. Ka shkuar në Francë, ka debutuar në Ligue 1 me fanellën e PSG-së dhe ka siguruar një vend në kombëtaren e Amerikës. Katër minuta lojë, sa për të thyer akullin, regjistruar rekordin dhe për të bërë një tjetër hap përpara. Nga ana tjetër, nëse është e vërtetë se gjaku i mirë nuk gënjen…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb