Të dyja skuadrat vinin pak a shumë në të njëjtin moment të sezonit, të dyja në luftë për titull dhe të dyja kishin barazuar 0-0 në sfidën e parë në “Anfield”, çka e bënte ndeshjen e Mynihut të paparashikueshme. Goleadat e fundit të Bajernit në kampionat kishin krijuar idenë se Liverpuli do të hiqte keq, përkundrazi. Djemtë e Klopit triumfojnë 3-1 duke realizuar dy gola me Mane dhe me Van Dijk, ndërsa për Bajernin ishte autogoli i Matip ai që krijoi iluzionin e një kualifikimi.

Kjo sepse pas golit të parë të Mane pas gafës së Rafinjës, autogoli i Matip bëri që bavarezët të fitonin terren dhe të kërkonin golin e dytë, por pas rrjetës së Van Dijk, fatet e takimit u shënuan, ndërsa goli i tretë i Mane erdhi kur bavarezët ishin hedhur të gjithë në sulm dhe kishin krijuar hapësira të mëdha në prapavijë. Do të mbyllet 3-1, Liverpuli pret një biletë për në çerekfinale, ndërsa Bajerni duhet të bëjë planet me rindërtimin e një organike tashmë në moshë “pensioni”.

Bajern Mynih (4-2-3-1): Nojer; Rafinja, Sule, Humels, Alaba; Havi Martinez, Tiago Alkantara; Gnabri, Hames, Riberi; Levandovski.
Trajner: Kovaç

Liverpul (4-3-3): Alison; Aleksandër-Arnold, Matip, Van Dijk, Robertson; Milner, Henderson, Vijnaldum; Salah, Firmino, Mane
Trajner: Klop

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb