Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli, foli në emisionin “Open” në News24 për ecurinë e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit dhe rolin që po luan diaspora, por u ndal edhe te tema e shpalljes “non grata” të liderit të PD, Sali Berisha, dhe përfshirja e konsulentit amerikan Chris LaCivita në strategjinë e fushatës së demokratëve.

Topalli tha se ishte ndër të parat që parashikoi se shpallja “non grata” e Berishës nuk do e ndalte kthimin e tij në drejtimin e PD.

“Kujtoj kur e shpallën Berishën ‘non grata’, kam thënë që në fillim se kjo situatë do të kalojë dhe se ai do rimarrë partinë,” u shpreh Topalli.

Duke komentuar praninë e strategut amerikan Chris LaCivita – një nga figurat kryesore në fushatën fituese të Donald Trump në SHBA – Topalli e cilësoi si një sinjal të fortë ndryshimi për PD-në.

“Fakti që Chris LaCivita është këtu, një njeri me lidhje shumë të fuqishme me Trump, tregon se ka një ndryshim me 180 gradë në të gjithë drejtimet. Nuk dyshoj se pas 11 majit do të kemi raporte bashkëpunimi për të avancuar këto marrëdhënie,” deklaroi ajo.

Topalli sugjeroi se përfshirja e LaCivita-s është pjesë e një strategjie të re që synon jo vetëm ndryshimin e qeverisë, por edhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të PD-së në vijim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb