CIA ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman ka urdhëruar personalisht vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, pavarësisht se qeveria saudite mohon përfshirjen “de facto” të sundimtarit, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari i lartë i SHBA tha për CNN të premten se përfundimi bazohet në një regjistrim të dhënë nga qeveria turke dhe prova të tjera, duke përfshirë edhe inteligjencën amerikane.

Hetuesit gjithashtu besojnë se një operacion i tillë si ai që përfundoi me vdekjen e Khashoggi nuk do të kishte ndodhur pa dijeninë e bin Salman duke marrë parasysh kontrollin e tij ndaj qeverisë, tha zyrtari i lartë i SHBA, raporton “BalkanWeb”.

Një zëdhënëse e ambasadës saudite tha në një deklaratë se “pretendimet në këtë vlerësim të supozuar janë të rreme. Ne kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë teori të ndryshme pa parë fakte për këto spekulime”.

Washington Post ishte i pari që raportonte mbi raportin e CIA-s. Sipas WP, zyrtarët amerikanë kanë besim të lartë në vlerësimin e CIA-s.

Një zëdhënës i CIA-s nuk pranoi të komentojë për Ëashington Post. Qeveria saudite ka mohuar përfshirjen e bin Salman në vdekjen e Khashoggi.

Khashoggi, një ish-personel mbretëror saudit i cili u bë kritik i qeverisë së vendit, u zhduk në tetor pasi vizitoi konsullatën saudite në Stamboll ku kishte shkuar për të marrë letra për martesën e tij të ardhshme. Qeveria saudite ofroi shpjegime të kontradiktore për zhdukjen e Khashoggi.

CIA ka analizuar një telefonatë që vëllai i princit Khalid bin Salman i bëri Khashoggit, duke e shtyrë gazetarin që të bënte udhëtimin në konsullatë për të marrë dokumentet, sipas Washington Post. Burimet i thanë WP se Khalidi e bëri telefonatën me urdhrin e vëllait të tij.

Khalid e mohoi lajmin e Washington Post, duke shkruar në Twitter se ai kurrë nuk kishte folur me Khashoggin në telefon.

“Kurrë nuk kam biseduar me të në telefon dhe sigurisht nuk i kam sugjeruar kurrë që ai të shkonte në Turqi për ndonjë arsye. Unë i kërkoj qeverisë amerikane të japë çdo informacion në lidhje me këtë deklaratë”, shkroi Khalid.

Ai tha se kontakti i fundit që kishte pasur me Khashoggin ishte nëpërmjet një mesazhi në tetor 2017.
Fatimah Baeshen, një zëdhënëse e Ambasadës Saudite në Uashington, tha për Ëashington Post se Khalid, i cili është ambasadori saudit në SHBA dhe Khashoggi nuk kanë diskutuar kurrë “asgjë lidhur me shkuarjen në Turqi”.

CIA gjithashtu ekzaminoi një regjistrim audio nga brenda konsullatës saudite të siguruar nga Turqia dhe një telefonatë të bërë nga brenda konsullatës pasi Khashoggi u vra, sipas WP.

Maher Mutreb, një anëtar i dyshuar i ekipit saudit dhe një zyrtar i sigurisë për princin e kurorës, telefonoi duke informuar se puna ishte bërë, i thanë gazetës njerëzit e njohur me telefonatën.

CIA nuk e di vendndodhjen e mbetjeve të trupit të Khashoggit, sipas Washington Post.
Administrata Trump të enjten dha dënime ndaj 17 individëve mbi rolin e tyre të dyshuar në vrasjen e Khashoggit. Vrasja e Khashoggit ka krijuar një krizë për administratën Trump dhe ka tërhequr vëmendjen ndaj lidhjeve të biznesit të Presidentit Donald Trump me Arabinë Saudite dhe marrëdhëniet midis bin Salman dhe dhëndrit të Trump dhe këshilltarit të lartë, Jared Kushner.

Më herët të enjten, Prokuroria Publike Saudite tha se 11 persona ishin akuzuar për përfshirjen e tyre në vdekjen e Khashoggit, duke shtuar se pesë janë dënuar me vdekje për përfshirjen e drejtpërdrejt në “urdhërimin dhe ekzekutimin e krimit”.

Khashoggi u vra pas një “përleshjeje dhe sherri” në konsullatën saudite, pohoi prokuroria. Prokurorët thanë se Khashoggi ishte lidhur dhe i ishte injektuar një mbidozë qetësuesi që e vrau atë. Pastaj, sipas prokurorëve, trupi i tij u gjymtua dhe u hoq nga konsullata nga pesë persona.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb