Studiuesi Armand Plaka ka publikuar në faqen e tij në ‘Facebook’ një faksimile të rrallë të CIA-s. Në dokumentin e deklasifikuar të CIA-s, thuhet se Enver Hoxha ka aplikuar për vizë në ambasadën franceze në vitin 1954. Sipas studiuesit Plaka, “në fillimvitet pesëdhjetë, Enver Hoxha mund të jetë ndjerë i kërcënuar nga “konkurrenca” që i bënte Mehmet Shehu dhe shumë burime konfirmojnë se Shehu në atë kohë ishte në fakt i preferuari i Moskës dhe lideri real i Shqipërisë, duke lënë në hije dhe vetë Sekretarin e Partisë”.

enver-hoxha-vize-france-1954-shehu-mehmet-640x509

STATUSI I ARMAND PLAKA
Është përfolur shumë se sidomos në fillimvitet pesëdhjetë, Enver Hoxha mund të jetë ndjerë i kërcënuar nga “konkurrenca” që i bënte Mehmet Shehu dhe shumë burime konfirmojnë se Shehu në atë kohë ishte në fakt i preferuari i Moskës dhe lideri real i Shqipërisë, duke lënë në hije dhe vetë Sekretarin e Partisë.
Teza në fjalë është pohuar e kundërshtuar nga shumë studiues e protagonistë të kohës, por asnjëherë nuk na kishte shkuar ndërmend se për Hoxhën, mund të kishte pasur një urdhër arresti apo dhe që madje të ishte arrestuar ndërkaq, ose që ai të ishte ndjerë i kërcënuar në atë masë, saqë të kishte çuar ndërmend ndonjëherë largimin, duke kërkuar azil politik në ndonjë vend perëndimor, në mënyrë që t’i shpëtonte i sigurt raprezaljeve të Shehut, i cili në atë kohë njihej ndërkaq me nofkën “kasapi i kuq” nga media perëndimore, falë “bëmave” të tij.
Të paktën këtë na lë të kuptojmë një dokument (i deklasifikuar qysh në vitin 2005) i CIA-s amerikane i vitit 1954, nga i cili mësojmë se tashmë në zyrat e saj kishte mbërritur lajmi se Enver Hoxha ishte arrestuar e se ai kishte aplikuar edhe për vizë franceze. Dokumenti në fjalë i sjelle per here te pare per publikun shqiptar, megjithëse i deklasifikuar, nuk arrin dot të na japë dot emrin, apo burimin e lajmit, por shihet qartë se CIA ishte e interesuar rreth këtij lajmi dhe se do të punonte deri në sqarimin e plotë të tij.
Më konkretisht, në dokumentin e deklasifikuar të CIA-s shkruhet: Në përgjigje të kërkesës sonë për konfirmimin e lajmit, ku raportohet arrestimi i Enver Hoxhës dhe aplikimi për t’u pajisur me vizë franceze, kërkesë e cila ishte bazuar në kabllogramet e referuara, (emri paraqitet i fshirë) na informoi si më poshtë: “Ne e kemi parë informacionin tuaj dhe nuk do hezitojmë t’ju informojmë, nëse Enver Hoxha ka aplikuar për vizë franceze”. Asnjë përgjigje nuk është marrë ndërkohë nga (emri paraqitet i fshirë).
Vetë emri i Shehut në dokumentin e CIA-s nuk na shfaqet askund, por nëse e njeh mirë situatën, menjëherë e kupton se kjo aty të çon. Është pikërisht viti kur Shehu sapo ishte emëruar Kryeministër dhe besohet se ishte në zenitin e fuqive të tij.
Nga e gjitha ajo çka na dëshmon historia jonë zyrtare e ajo jozyrtare, mund të pohojmë se është hera e parë që qarkullon një informacion i tillë, duke dalë në dritë si një risi, pavarësisht faktit se shumë pak gjasa ka që të ketë qenë i vërtetë. Rreth tre dekada më vonë, vetë Shehu do të pësonte një fund tragjik, dilema e të cilit vërtitet mes vrasjes e vetëvrasjes, e rrethuar me plot pikëpyetje të tjetra.
Në një tjetër aspekt, na shfaqet një lloj turbullire nga ana e CIA-s amerikane në atë kohë, në lidhje me depërtimin e lajmeve të cilat kishin një bazë shumë të ulët besueshmërie. Shumëkush sot mund të thotë se ndoshta pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja për të cilën Hoxha nuk e fali kurrë Shehun, por një llogjikë e thjeshtë të thotë se pse duhet të priste Hoxha aq shumë vite për të eliminuar Shehun, kur pas viteve pesëdhjetë, pushteti në duart e tij ishte mëse i sigurtë.
Të gjithë e dimë se diktatori shqiptar ishte në gjendje të të zhdukte nga faqja e dheut edhe nëse kishe tentuar të bëje shumë më pak se akti i sipërpërmendur. Sidoqoftë, më poshtë faksimlja e dokumentit të CIA-s amerikane në vitin 1954.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: