Tymosja me e-cigarettes është më e sigurtë se pirja e duhanit dhe mund të çojë në heqjen e vesit të pirjes tradicionale të cigares.

Lajmi bëhet publik nga institucioni i Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe, ku në daljen e parë zyrtare mbi këtë çështje janë shprehur se cigaret elektronike janë 95% më pak të dëmshme për shëndetin krahasuar me cigaret e zakonshme.

Sipas ‘The Guardian’, institucioni shëndetësor kryesor i Britanisë ka arritur në përfundimin se cigaret elektronike së shpejti mund të shpërndahen si një trajtim mjekësor i licensuar si alternativa më e mirë kundër pirjes së duhanit dhe produkteve të saj përbërëse.

Por pavarësisht këtij rezultati, specialistët paralajmërojnë se as e-cigarettes nuk janë krejtësisht pa rrezik, megjithëse është me prioritet të vlerësohet kapaciteti i tyre i madh për të reduktuar konsumin e duhanit.

Ky mesazh u mbështet dhe nga shefja e qeverisë britanike për mjekësinë, Dame Sally Davies, e cila ndër të tjera paralajmëroi se “nuk duhet të ketë një konsum të gjatë dhe të vazhdueshëm të cigareve elektronike, pasi qëllimi i vetëm i tyre është të përdoren si një mjet ndihmues për të bërë konsumuesit e cigares të heqin dorë”.

Pritet që këto produkte të mund të blihen në dyqane si ilaçe të licensuara, si një garanci kjo për sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin ndaj konsumatorëve që duan t’i përdorin si një mjet ndihme për lënien e cigares.

Deri më tani, ndryshe nga metodat alternative të lënies së duhanit me zëvendësimin e nikotinës si terapitë me çumçakëz, tabletat apo ngjitësa, cigaret elektronike ende nuk janë licensuar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb