Sokol Cikalleshi sot është përballur për herë të parë me Istanbul Bashakshehirin, skuadrën nga e cila u huazua tek Akhisari në afatin dimëror të transferimeve.

Sulmuesi i Kombëtares e nisi nga stoli ndeshjen e barazuar 1-1 në transfertë, e para për çerekfinalet e Kupës së Turqisë.

26-vjeçari kavajas u fut në lojë në të 62-n në vend të kongolezit Xheremi Bokila, kur vendasit ishin në udhëheqje falë golit të Stefano Napoleonit. Por ai u zëvendësua sërish pas nëntë minutash nga Mugdat Çelik pas një dëmtimi të pësuar. Shkalla e lëndimit do të mësohet pas kontrolleve të hollësishme mjekësore. Shtatë minuta më pas, miqtë rikthyen baraspeshën me një perlë të portugezit Rikardo Vaz Te.

Ky rezultat është i favorshëm për Akhisarin në çerekfinalen e kthimit që do të luhet më 4 prill. Kundërshtari në rast kualifikimi në gjysmëfinale do të dalë nga dueli mes Kaiserisporit dhe Fenerbahçes (ndeshja e parë luhet nesër).

Po sot në fushë zbriti edhe Alban Meha, i cili luajti 66 minuta në barazimin pa gola që Koniaspori i tij mori në fushën e Sivasporit. Fituesi i këtij çifti do të përballet në gjysmëfinale me njërin mes Kasëmpashasë dhe Rizesporit (2-0 takimi i parë)./Panoramasport.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: