Një ciklon i fuqishëm goditi Indinë Lindore dhe Bangladeshin të mërkurën, duke shkatërruar mijëra shtëpi dhe duke lënë të vdekur të paktën 14 njerëz, thanë zyrtarët, pasi operacionet e shpëtimit u penguan nga pandemia me koronavirus.

Cikloni Amfan goditi më shumë shtetin Bengali Perëndimor, duke arritur nga Gjiri i Bengalit me shpejtësi 185 kilometra në orë, dhe niveli i detit u ngrit deri në pesë metra.

Kreu i këtij shteti federal, Mamata Banerjee, njoftoi se të paktën 10 njerëz kanë vdekur nga stuhia, një nga më të fuqishmet në vitet e fundit.

“Zona është shkatërruar. Komunikimet janë ndërprerë,” tha Banerjee, duke shtuar se megjithëse autoritetet evakuuan 500,000 njerëz, ata nuk prisnin që stuhia të ishte aq e fortë.

Shiu vazhdon, kështu që zonat më të goditura nuk mund të arrihen akoma. Autoritetet federale tregojnë se ata nuk do të jenë në gjendje të bëjnë një vlerësim deri të enjten në mëngjes.

Në Kolkata, kryeqyteti i Bengalit Perëndimor, erëra të forta përmbysën makina dhe shkatërruan pemë dhe infrastrukturën energjetike, duke lënë shumë pjesë të qytetit në errësirë.

Të paktën katër persona vdiqën në Bangladeshin fqinj. Autoritetet evakuuan rreth 2.4 milion njerëz në më shumë se 15,000 strehimore. Ata gjithashtu zhvendosën qindra refugjatë Rohingya nga Myanmar që jetojnë në një ishull në Gjirin e Bengalit.

Zyrtarët gjithashtu kanë frikë se stuhia shkatërroi pjesë të mëdha të tokës pjellore dhe plantacioneve, por për fat të mirë korrja e orizit ishte pothuajse e përfunduar më herët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb