TIRANË

Deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi sot se policia vepron me dy standarde duke kërkuar emrin e kompanisë që ka importuar naftë kontrabandë. Salianji tha në parlament në replikë me ministrin e Brendshëm se janë arrestuar qytetarë libianë, por nuk thuhet se cila kompani do e importonte.

“Tani, z. ministër i Brendshëm po ju pyes dhe njëherë, unë nuk thashë që pse policia shqiptare arrestoi ata qytetarët libianë dhe të huaj për një anije kontrabandë që siç edhe ju e pranuat ishte sinjalizuar nga partnerët ndërkombëtarë se nuk kishte se ç’bënte policia shqiptare, unë po them shumë mirë që ndodhi kjo, por policia shqiptare a ka ndonjë përgjigje se cila nga këto pesë kompani shqiptare bënte importin e kësaj nafte kontrabande në Shqipëri. Pse nuk e thotë policia shqiptare këtë, me emër, me mbiemër. Unë po them këtë se këtu ka dy standarde në zbatimin e ligjit. Kur arrestohet cilido në Republikën e Shqipërisë, qytetari më i thjeshtë, thuhet emër mbiemër ose me iniciale. Kompanitë po e po”, tha Salianji.

Sa i përket legalizimit të ndërtimeve pa leje, ai theksoi se sërish ka dy standarde.

“E njëjta gjë për dy standarde në zbatimin e ligjit z.ministër për ndërtimet e paligjshme. Nëse një qytetar në çdo cep të Republikës përfundon në burg për avlli, për çati, për dritare, se për shtëpi nuk bëhet fjalë e njëjta gjë duhet të ndodh dhe me ata që janë oligarkë.
Nuk është e vërtetë, nuk po e bëni që të paguajnë para. Nëse 100 m katrorë ndërtim këtu përballë nesh, te një nga kullat e paligjshme shitet sot në treg me 500 mijë euro, 5 mijë euro metri katrorë, ai oligarku që e ka ndërtuar jo vetëm që ka shmangur taksat, pjesën e pronarit dhe për qeverinë do e marrë maksimale 2 mln lekë të vjetra, por ndërkohë ka shmangur burgun se duhet të përfundonte në burg. Kujt po ia thoni këtë dolëm ne po prishim ndërtimet e paligjshme. Thoni se kjo është deviza jonë, do bashkëpunojmë me oligarkët, me këta që paguajnë para, këta të tjerët le të ikin me gomone në Angli dhe kjo është më e ndershme.
Ka dy standarde në zbatimin e ligjit në këtë vend, po ia kërkoj ministrit të brendshëm që e ka në varësi. E njëjta strukturë që varet nga ju ka pasur kallëzime penale”, deklaroi Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb