Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka folur në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Duke qenë se Reforma në Drejtësi ka qenë një ndër kushtet e BE për integrimin e vendit tonë, gazetari Balla i ka kërkuar ministrit Caka t’i japë qoftë edhe një emër të ndonjë “peshku të madh” të krimit e të korrupsionit, që është dënuar.

Ndonëse e ka cilësuar të dobishëm diskutimin për “peshqit e mëdhenj”, Cakaj nuk ka pranuar të japë emër, duke thënë se për Këshillin Evropian nuk ka rëndësi dhënia e emrave, por procesi në tërësi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, në shkallën që kërkojnë ata.

Pyetje: Vettingu vazhdon me sukses, por nuk vazhdon me të njëjtin ritëm zëvendësimi i trupave të reja. Cilin kemi dënuar një peshk të madh të krimit e të korrupsionit, më thoni një emër?
Cakaj: Është më e ndërlikuar se sa përmendja e një emri. Shqipëria nuk është duke kërkuar mbylljen e negocimit, nuk kërkojmë anëtarësim nesër, jemi në fazën ku kërkojmë hapjen e negociatave. Faktori i dytë, funksionalizimi i trupave të reja gjyqësore nuk ka qenë prej kushteve në vitin 2018, ka qenë finalizimi i trupave gjyqësore dhe kjo është realizuar.

Diskutimi për emrat e mëdhenj është i dobishëm, por KE vlerëson nëse, dhe ai ndaj është njësia matëse, thjesht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë në shkallën e duhur për të merituar çeljen e negociatave. Dhe në matjen e tyre kjo është bërë në shkallën e duhur. KE bën vlerësim mbi të dhënat konkrete mbi progresin e vendit, bazuar në shkallën ku qëndron vendi në raport me Evropën.

Më tej, ministri Cakaj ka sqaruar dhe arsyet pse Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu janë vënë kushte të ndryshme nga Evropa, duke thënë se nuk ka të bëjë me faktin se fqinjët kanë ecur më shumë se ne, por me fizionominë e dy vendeve.

Pyetje: Maqedonia e Veriut ka ndryshuar çdo gjë të mundshme, ka një kryeministër të dënuar, që ka ikur kodrave …

Cakaj: KE ka transformuar rrënjësisht metodologjinë për vlerësim për negociim. KE ka kthyer si parim thelbësor negocimin e kapitujve 23 e 24 që në fillim, që më parë kanë qenë në fund.
Ndryshe nga më parë, metodologjia është bërë më kërkuese dhe rigoroze që, do të thotë se Shqipëria duhet ta bëjë procesin e Vettingut jo gjatë negocimin, por para këtij procesi. Krahasimi me Maqedoninë e Veriut është i domosdoshëm, pasi jemi në rrugëtim të përbashkët.

Mirëpo, ky krahasim nuk duhet të na verbojë nga dallimet që ekzistojnë mes vendeve. A ka bërë Maqedonia Vetting? Jo, nuk ka bërë. Për Shqipërinë kusht ka qenë procesi i Vettingut, për Maqedoninë e Veriut ishte çështja e emrit me Greqinë. Pra, kushtet janë të ndryshme, sipas fizionomisë së dy vendeve. Por, të dyja vendet kanë plotësuar kushtet e vendosura nga KE.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb