Për herë të parë botuesi Henri Çili dhe ish-drejtori i mediave Mapo, Alfred Lela u përballën sot live në emisionin e Eni Vasilit “Studio e hapur” në “News 24” lidhur me të vërtetën që secili prej tyre pretendon për shkaqet që çuan në largimin e Lelës nga kjo media.

Në fakt tema e emisionit nuk kishte të bënte aspak me largimin apo siç pretendon Lela, me shkarkimin e tij nga Mapo, por me lirinë e medias në tërësi. Dhe kur flitet për lirinë e medias në Shqipëri sigurisht që si shembull nuk mund të merret vetëm rasti i largimit apo shkarkimit të një drejtori gazete. Për këtë arsye dhe drejtuesja e emisionit “Studio e hapur”, Eni Vasili e ndërtoi panelin e të ftuarve jo vetëm me Çilin dhe Lelën por edhe me dy përfaqësues të spikatur të medias, njëherazi pedagogë gazetarie, si Lutfi Dervishi dhe Mark Marku, me një eksperiencë të gjatë si në shtypin e shkruar ashtu edhe në median vizive.

Por për shkak se dy të ftuarit e tjerë të Eni Vasilit, Lela dhe Çili shfrytëzuan rastin e parë për t’u përballur live lidhur me një raport tashmë të prishur mes tyre në mediat Mapo, edhe emisioni “Studio e hapur” doli nga tema për të cilën ishte ideuar. Aq sa debati në studio nuk po fokusohej më në pyetjen e ngritur në fillim të emisionit nëse është apo jo sot media në Shqipëri më e lirë se dje por në “arsyet” pse Lela kishte ikur nga Mapo.

Ndoshta dhe i irrituar nga ky fakt, Mark Mark ndërhyri në debatin mes tyre duke i kujtuar Eni Vasilit se nuk ishte ftuar në emisionin e “Eni Çobanit të shihemi në gjyq”. Ironia e Markut në fakt i drejtohej më së shumti Lelës dhe Çilit, si një tërheqje vëmendje drejt faktit se debati për lirinë e medias është më i gjerë se largimi nga puna i një drejtori gazete apo qoftë edhe më i madh se përpjekja e të dyve (Çilit e Lelës) për të rindërtuar një raport personal të prishur tashmë duke shfrytëzuar një emision televiziv si “një seancë gjyqësore pajtimi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb