Shumë foto të shkrepura me Kupën e Botës në të njëjtën kohë dhe në vende të ndryshme, pas festimeve të çmendura në Buenos Aires të Argjentinës. Si është e mundur? Në fakt, vetëm një është trofeu i vërtetë i Kupës së Botës.

E kemi parë trofeun në të njëjtin shtrat me Messin, apo në duart e Julian Alvarez në Calchin, në krahët e Dibu Martinez dhe trajnerit Scaloni. Me pak fjalë, një “shi” Kupash të Botës vërshuan aty-këtu, rreth Argjentinës, dhe rrjedhimisht në Instagram.

Në realitet, këto janë kopje, sepse origjinali është diku tjetër dhe ishte në dispozicion të kampionëve të botës vetëm për disa minuta. Trofeu i vërtetë dhe i vetëm është ai që u ekspozua dhe u ngrit në stadiumin “Lusail” me rastin e finales së Kupës së Botës.

Pas fitores ndaj Francës, lojtarët e Argjentinës mundën “ta përdornin” atë dhe të festonin me trofeun prej ari një të kufizuar, pra 15 minuta. Kupa origjinale është 36.5 centimetra e lartë, peshon 6.17 kilogramë, është bërë me 5 kilogramë ar 18 karatësh dhe ka një gur gjysmë të çmuar me përmbajtje të lartë bakri në bazë.

Duhet të kujtojmë gjithashtu se vetëm shumë pak njerëz mund ta prekin kupën; pra kampionët e botës të së tashmes dhe të së shkuarës, krerët e shteteve dhe shumë pak autoritete të tjera. Kur koha e lejueshme mbaroi, ish-portieri i botës, Nery Pumpido, u ngarkua të merrte trofeun dhe ta vendoste atë në kutinë mbrojtëse.

Në atë moment lojtarëve iu dha një kopje e trofeut, të miratuar nga FIFA. Dallimi me origjinalin është se ai ka një bazë të artë, ndërsa ky ka një bazë të zezë. Dhe pikërisht me këtë festuan Messi dhe shokët e tij gjatë festës për triumfin e kampionatit botëror, që e preku edhe Salt Bae (Nusreti) për një situatë që ka ngritur polemika të mëdha. Pra, e vërteta është se nuk ka qenë kurrë Kupa e Botës origjinale.

Kupa e vërtetë nuk do të shkojë në Argjentinë, por do të transferohet në Itali, ku ndodhet kompania “GDE Bertonia”, e cila zakonisht është përgjegjëse për restaurimin e saj përpara se të kthehet në selinë përkatëse në Zyrih, Zvicër. E njëjta kompani ka prodhuar kopjen që do të mbajë ekipi kampion, me një përzierje bakri, zinku dhe të larë në tri shtresa ari.

Kjo kopje e quajtur zyrtarisht “Trofeu i Fituesit të Kupës së Botës” është në duart e Federatës Argjentinase të Futbollit, pasi ka qenë në dispozicion të lojtarëve gjatë turit në Buenos Aires. Tani ndodhet në selinë e “Julio Humberto Grondona”, ku u transportua nga presidenti federal Chiqui Tapia.

Atëherë si ishte e mundur të shihje futbollistë të përjetësuar edhe në orët e fundit me Botërorin në duar dhe në zona të ndryshme, në të njëjtën kohë? Misteri zgjidhet menjëherë. Këto janë kopje të trofeut origjinal që mund të blihen lehtësisht dhe të vihen në dispozicion të kampionëve pikërisht për t’i lejuar ata t’i tregojnë ato deri në fund.

Për të blerë këto faksimile mund të shpenzoni edhe 18 mijë pesos ose rreth 100 euro. Një shumë e vogël për yjet e futbollit dhe që iu lejon atyre të rijetojnë emocionin e Katarit. Një gëzim që nuk do ta harrojnë kurrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb