GREQI- Me rezultatin surprizë që siguroi nga këto zgjedhje, Syriza e Alexis Cipras nuk e pati shumë të vështirë formimin e një koalicioni. Do të qeverisë me Grekët e Pavarur. Kryeministri Aleksis Cipras do të betohet sot përpara Presidentit të Republikës dhe ka nisur punën për formimin e qeverisë.

Para se të shpallen rezultatet zyrtare, me vetëm projeksionet që i kanë dhënë Syrizas përparësi, kreu i saj, Cipras ka deklaruar se qeveria e re do të formohet brenda tri ditëve, ndërsa nga Demokracia e Re, pas daljes së exitpolleve të para janë shprehur se do të presin rezultatet përfundimtare, sipas “Euronews”.

Me daljen e rezultateve të para zyrtare, konservatorët e Demokracisë së Re e pranuan humbjen dhe i bënë thirrje Cipras të formojë sa më shpejt qeverinë dhe ta paraqesë atë në Parlamentin e ri.
Edhe pse analistët dhe zyrtarë në Bruksel kanë qenë përkrahës të një qeverisjeje të gjerë në Greqi, ku të majtët do të bashkoheshin me konservatorët e djathtë, nga Syriza e kanë refuzuar kategorikisht një formulë të tillë. Nikos Pappas, ndihmës i ngushtë i Aleksis Cipras, tha në mediat greke se partia e tyre nuk do të formojë një koalicion me Demokracinë e Re.

Kjo ruan linjën e asaj që ata kanë deklaruar gjatë fushatës elektorale, edhe pse konservatorët e Demokracisë së Re kanë thënë se ata mund të punojnë me të majtët. Formula e qeverisjes është ajo e vjetra, Syriza me Grekët e Pavarur apo siç njihen ndryshe, ANEL.

Një prej drejtuesve të ANEL, Terens Quick, ka thënë në mediat greke se partia e tij do të jetë në Parlament dhe do të marrë pjesë edhe në qeverinë e re. Me 50 për qind të votave të numëruara, Cipras­it i mungonin pak ulëse për të marrë shumicën për të qeverisur i vetëm. Por kjo nuk parashikohet të ndodhë deri në numërimin e plotë të votave. Cipras e formoi një koalicion qeverisës me lehtësi.

Ish­partnerët e tij në koalicion, nacionalistët Grekët e Pavarur, e kaluan pragun 3 për qind për të hyrë në Parlament. Por në çdo rast, edhe partitë e qendrës kanë dhënë shenja se ato do të binin dakord për të hyrë në një koalicion, për të siguruar se nuk do të jenë të nevojshme zgjedhjet e reja. Edhe socialistët e PASOK mund të përfundonin në koalicionin qeveritar. Ata kanë deklaruar para zgjedhjeve se do të pranonin një koalicion si me Syriza­n, ashtu edhe me Demokracinë e Re.

Ndërsa rebelët e Syriza­s, me më shumë se 50 për qind të votave të numëruara, duket se kanë dështuar të sigurojnë një numër të madh votash, me premtimin e tyre elektoral për të refuzuar memorandumin e ri mes Greqisë dhe Europës të miratuar nga qeveria e Cipras. Ata mund të marrin 2­3 për qind të votave, edhe pse morën mbështetjen e Yanis Varoufakis, ish­ministri grek i Financave.

Greqia e ka 3 për qind pragun e përfaqësimit në Parlament dhe nga 19 partitë që kanë garuar në këto zgjedhje, tetë prej tyre pritet të kalojnë pragun zgjedhor deri në fund të numërimit të votave.

Nëse në Parlament hyjnë edhe rebelët e Syriza­s, partia e re e formuar në gusht 2015, Unioni Popullor, atëherë në Parlamentin grek do të ishin gjithsej nëntë parti. Ky do të ishte numri më i madh i partive në Parlament që nga zgjedhjet pas lufte, 65 vjet më parë. Në 1950 në Parlament kishte 10 parti, ndërsa në vitin 2012 kishte 8 parti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: