ATHINË– Detyrimi im për të respektuar mandatin e popullit grek për dhënien fund të masave shtrënguese ekonomike dhe kthimi i vendit drejt një axhende zhvillimi, në asnjë rast nuk përmban mospërmbushjen e detyrimeve tona ndaj kreditorëve tanë, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i deklaroi agjencisë ”Bloomberg” kryeministri grek, Aleksis Cipras.

“Konsultimi me partnerët tanë evropianë sapo filloi, me gjithë faktin se ekzistojnë përqasje të ndryshme, jam absolutisht i sigurt se së shpejti do të arrijmë në një marrëveshje me dobi reciproke, sa për Greqinë, aq edhe për gjithë Europën. Asnjë palë nuk synon konfrontimin dhe kurrë nuk kishim për qëllim të vepronim në mënyrë të njëanshme në çështjen e borxhit grek”, tha më tej kryeministri.

“Përkundrazi, ajo që ka rëndësi është se ne duam kohë që të marrim frymë dhe të hartojmë programin tonë afatmesëm të rimëkëmbjes, i cili, ndër të tjera, do të përfshijë objektivat për buxhete të balancuara dhe reforma rrënjësore, me qëllim që të përballojmë çështjet e evazionit fiskal, të korrupsionit dhe të shtetit klientelist. Jam i bindur se një marrëveshje në këtë kuadër do të pranohet nga partnerët tanë, përderisa interesi ynë i përbashkët është stabiliteti ekonomik dhe rimëkëmbja për shtëpinë tonë të përbashkët, Evropën”, theksoi ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: