Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku deklaroi për krijimin e ushtrisë së Kosovës nuk ka dialog me Serbinë. Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën Çitaku kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucionit t’i referohen vendimit të GJND-së se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.

“Këto sesione këtu nuk i ndihmojnë paqes dhe dialogut dhe fatkeqësisht ky vend këtu është duke u keqpërdorur dhe është shndërruar në teatër. Kosova nuk duhet të jetë një vrimë e zezë mes kontinentit evropian. Kemi dëshirë të ndihmojmë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Evropën për të qenë më të sigurt. Sa i përket policisë, OKB duhet të mburret se vetë kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës dhe Kosova ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste”, u shpreh Çitaku. Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Dialogu paraqe të vetmin shteg përpara për të dyja vendet, por është e rëndësishme që të pajtohemi se çfarë është ky dialog. Dialogu është për paqe, pajtim dhe njohje reciproke, dhe si i tillë do të ketë kuptim dhe do të prodhojë rezultate vetëm nëse ne vendosim të flasim sinqerisht në lidhje me proceset në Bruksel. Fqinjët tanë duhet të na trajtojnë si qenie të barabarta dhe duke njohur të gjitha të drejtat tona”, tha ambasadorja Çitaku.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb