Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, komentoi në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, ndryshimin e shifrave të rindërtimit, të cilat kanë ardhur duke u rritur.

Shkak për këtë, tha ministri Ahmetaj, është bërë dinamika e rindërtimit, e cila ndryshon nga rivlerësimet që bëhen herë pas here në terren. Edhe për shifrën 6 miliardë dollarë, që është parashikuar për vitin 2022, Ahmetaj tha se nuk do të mjaftojë, ndaj dhe sipas tij, mund të rritet.

Nga ana tjetër, i ftuar në studio, eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, theksoi se problemi madhor që ka ekonomia shqiptare sot është sistemi fiskal, që ndryshon shumjë.

Pjesë nga diskutimet:
Ahmetaj: Arsyeja e ndryshimit të shifrave të rindërtimit është dinamika e rindërtimit. Janë bërë rivlerësime të mëtejshme dhe vetëm Tirana ka rreth 2 mijë banesa plus. Së dyti, një pjesë e mirë e shkollave në vlerësim e sipër janë futur në programin e rindërtimit. Ky është një program shumë dinamik, pasi bazohet në vlerësime të njëpasnjëshme që bëhen në terren. Kur të bëjmë akt normativ, mund të kemi nevojë ta rrisim shifrën. Edhe 6 miliardëshi për 2022 nuk do të mjaftojë dhe do duhet ta rrisim.

Ardian Civici: Po të shohim shifrat, do të thotë që deri në shkurt të 2021 janë përdorur te 560-600 milionë dollarë deri më tani për procesin e rindërtimit.

Ahmetaj: Donacionet që janë te rreth 300 milionë euro do të përdoret drejtpërdrejt nga donatorët. Nuk kemi lënë asnjë nga donatorët pa i kontraktuar.

Civici: Tërmeti bëri që shumë biznese të ndërpresin aktivitetin. Cfarë vendi zë mbështetja për këto biznese?

Ahmetaj: Kemi një instrument garancie sovrane 50 milionë euro për ringritje të teknologjisë dhe një tjetër për investime në bujqësi. Një instrument do të jetë për pagat dhe një tjetër për likuiditetin, ndihmë ndaj sipërmarrjes.

Civici: Taksat ishin kali i betejës së kësaj fushate. Ne kemi një problem më madhor se kaq, u bë shumë vite që kemi hyrë në një fazë, ku sistemi fiskal ndryshohet shumë. Jemi nga ato vendet me më pak stabilitet. Gjëja më e rëndësishme sot është stabiliteti fiskal në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb