Nga: ENIDA HIMA*
TIRANE – Klejdi është emri i artistit me origjinë shqiptare shumë të famshëm në Greqi, por edhe në skenat ndërkombëtare. Që prej moshës 3-vjeçare ka jetuar në Greqi, por gjithnjë ka folur gjuhën shqipe. Fillimet për të nuk kanë qenë të lehta, shprehet se jo rrallë herë është diskriminuar për faktin se vinte nga Shqipëria. Edhe pse një emër i njohur në botë, Claydee thotë se ndjehet ende shumë larg atyre që kanë ngritur lart emrin e vendit tonë nëpër botë. E viziton shpesh Tiranën dhe gjithnjë nxiton të flasë fjalët më të mira për vendin e tij në sytë e të huajve. Edhe pse aktualisht është në një lidhje, këngëtari shprehet se një bashkëshorte shqiptare do të ishte ideale për të.
Një emër i njohur në të gjithë botën, por më pak në Shqipëri, kush është Claydee Lupa, cili është emri juaj i vërtetë, si e nisët karrierën?
Emri im është Klejdi, pra Claydee në anglisht, si emër artisti. Kam mbajtur emrin që kam në pasaportën shqiptare. Karriera ime filloi pasi mbarova shkollën dhe fillova punë në një kanal televizioni në MTV, ku atje punova mbrapa kamerës rreth 4 vjet. Gjatë kësaj kohe unë fillova të shkruaja në shtëpi. Derisa vendosa të largohem nga ajo punë dhe të merresha me atë që zbulova në vetvete. Të krijoja dhe të këndoja këngët e mia.
Para se të arrinit të tilla përmasa në karrierën tuaj, a e kishit besuar ndonjë ditë këtë sukses?
E vërteta është që jo. Që do të arrija deri diku, po, sepse ditë e natë isha i apasionuar me muzikën, rrija me orë të tëra në studio, por se mendoja të arrija të tillë sukses. Jo kaq shumë dhe jo kaq shpejt.
A ju kanë paragjykuar për faktin se jeni shqiptar?
Po si fillim ajo ishte e vetmja gjë që mund të më përmendnin, por me kalimin e kohës pushuan, i dhanë më rëndësi punës sime. E panë që mua sa më shumë të më gjykonin se nga jam, aq më shumë më hipte vullneti për të arritur qëllimet e mia. Duhet të them që fillimisht më vrisnin paragjykimet e grekëve, për faktin që mbroja me aq krenari origjinën time shqiptare. Por tani gjithçka ka kaluar dhe më vjen mirë për këtë.
E rendisni veten përkrah shqiptarëve më të famshëm në botë që kanë ngritur lart emrin tonë?
Jo, nuk e kam menduar këtë gjë. Më bëhet shumë qejfi për të gjithë shqiptarët në botë që janë bërë me famë. Unë mendoj që jemi njerëz me shumë talent dhe të zgjuar. Dhe gjithmonë i shikoj më lart ato.
E vizitoni shpesh Shqipërinë, si iu është dukur, a ka ndryshuar vitet e fundit?
Kohët e fundit po, sepse kam ardhur dhe kam dhënë koncerte, për ta vizituar jo akoma. Do të doja të kisha një ditë atë kohë që të vij vetëm për pushim dhe të dal më shumë për të parë vendet e bukura që ka Shqipëria. Më duket se duke ardhur bëhet akoma më e bukur. Ndryshimi është shumë i ndjeshëm në gjithë vendin, më pëlqen gjithçka rreth vendin tim dhe më pëlqen akoma më shumë që dhe qytetarët janë ndërgjegjësuar tanimë për vendin e bekuar ku jetojnë.
Cili është vendi që vizitoni më së shumti kur vini në Shqipëri, çfarë ju pëlqen?
Më shumë në Tiranë, sepse aty jetojnë njerëzit e mi të gjithë. Tirana më e bukur po bëhet. Më pëlqen sepse takoj shokët që kam atje, takoj gjyshen dhe gjyshin të cilët më kanë rritur.
A ndodh t’ju pyesin të huajt për Shqipërinë, çfarë iu intereson atyre më së shumti nga vendi ynë?
Atë që kam kuptuar është që kanë shumë kuriozitet dhe dëshirë për ta vizituar sepse kanë dëgjuar shumë fjalë të mira, sidomos për turizmin. Janë të shumtë ata që tashmë e njohin Shqipërinë dhe e dashurojnë bukuritë e këtij vendi.
Ka disa artistë që pasi bëhen të famshëm e mohojnë origjinën shqiptare, e sidomos në Greqi ndodh shpesh me shqiptarët, jeni ndeshur me këtë fenomen?
Ndoshta jam ndeshur me raste të tilla, por nuk mund të flas sepse ato e dinë më mirë kush është arsyeja që i bën të mohojnë vendin. Unë di vetëm një gjë, të pranosh se nga e ke prejardhjen është gjëja më fisnike për një njeri. Sigurisht që nuk është gjë e mirë të mohosh gjakun e vendit tënd pasi është sjellje frikacakësh, sepse nuk je vetvetja. Dhe ky mohim të ndjek si hije kudo që të shkosh dhe kurrë nuk mund të jesh i qetë.
Rendisni shumë bashkëpunime me emra të famshëm ndërkombëtarë, si është të punosh me disa nga emrat më të famshëm botërorë?
Është e vërtet që unë punoj me artistë të famshëm në botë, për mua është një shkollë më e lartë. Më ka bërë të zbuloj gjëra të reja që më ndihmojnë për të ardhmen. Ti njohësh të gjithë nga afër të bën ti shohësh ndryshe. E konsideroj veten me fat që më është dhënë mundësia të punoj me disa nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore.
E keni ndjekur muzikën shqiptare, si ju duket ajo?
Po e ndjek muzikën shqiptare dhe më pëlqen shumë. Kam vënë re që është përmirësuar goxha vitet e fundit. Kanë ditur të ndjekin shembujt ndërkombëtarë dhe të gjejnë rrugën e suksesit.
A keni ndërmend të bëni një bashkëpunim me një artist shqiptar, kë do të zgjidhnit nëse do të ndodhte kjo?
Kisha ndërmend, por tani e realizova. Nga një takim këtu në Greqi me Ermal Mamaqin kuptova që ai është i duhuri për një bashkëpunim. Në përgjithësi më pëlqejnë shumë personat e hapur me talent dhe humor, mbi të gjitha talent në disa fusha. Ermali i ka të gjitha këto. Pra tani jemi duke krijuar bashkë dhe një këngë në Shqip dhe Greqisht.
Si ju duken femrat tona, e keni menduar ndonjëherë të merrni një bashkëshorte shqiptare?
Femrat shqiptare janë shumë të bukura dhe pse jo nëse do të ishte ajo që do tu përshtatej shijeve të mia. Pse mos të jetë dhe një bashkëshorte.
Cila është familja juaj, a flisni shqip në shtëpi?
Familja ime është arsyeja ajo që unë jam sot këtu ku kam arritur. Më duhen ditë të flas për të dhe jo vetëm në një intervistë. Gjëja më kryesore që luan rol për jetën e një fëmije është ajo. Jam i lumtur që kam një familje që s’kam fjalë ta përshkruaj. Prindërit gjithmonë na kanë folur shqip dhe mua dhe vëllait. Ne e flasim shqipen po sigurisht nuk është e lehtë të kesh ikur 3-4 vjeç nga vendi yt për ta folur shumë mirë, por unë përditë mundohem më shumë për ta përmirësuar atë. Jam rritur në një ambient me mentalitet të fortë shqiptar dhe kam marrë edukatën e vendit tim. Shpresoj shumë që të njëjtën frymë të përcjellë edhe tek familja ime në të ardhmen.
I famshëm, simpatik, a keni një partnere në krah?
Po, diçka kam në jetën time personale që po e shijoj shumë si marrëdhënie. Shpresoj që të jetë jetëgjatë.
Thuhet shpesh se të famshmit bëjnë jetë të shthurur, po ju? A jeni tip i ‘one night stand’, apo më stabël në marrëdhëniet tuaja?
Jo, asnjëherë nuk më ka pëlqyer jeta e shthurur dhe besoj se kurrë s’do të më pëlqejë. Jam shumë stabël në marrëdhëniet e mia.
Një partnere të famshme, apo një të thjeshtë?
Nuk do të kisha problem për të dyja rastet. Mjafton të kuptojmë njëri-tjetrin.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: