NGA ELTON DONO
KORCE- Pas 5 netësh të paharrueshme, Festa e Birrës u mbyll për të nëntin vit radhazi në qytetin e Korçës. 5 net të mbushura me muzikë, argëtim, “Birra Korça” të derdhur lumë, e një atmosferë që bëri çdokënd të pranishëm të anashkalonte edhe pushimet e mundshme të detit, në qytetin e kalldrëmeve që po e kthen vit pas viti në një traditë këtë festë. “Sigurisht që është ‘Birra Korça’ ajo që na bën të rikthehemi çdo vit, apo më mirë për të riardhur sërish të gjithë në Korçë”, thonë një grup shoqërie nga Tirana, që janë prej së premtes në këtë qytet.

Për të nëntin vit radhazi, ky event mblodhi mijëra pjesëmarrës nga gjithë vendi si dhe turistë të huaj, duke u kthyer kështu në epiqendrën e “pushimeve verore” shqiptare dhe rajonit përreth. Me mbi 200 mijë njerëz që qëndruan në të pesta netët, kjo festë shënon një rekord të ri pjesëmarrjeje, që erdhi në rritje dita-ditës, pa përmendur këtu simbolin e kësaj feste, që e vijon rru-gëtimin që prej sezonit të parë, e pandashme dhe e pakrahasueshme në cilësi me asnjë tjetër, Birra Korça. Është kjo birrë që shumë turistë të huaj kryesisht i ka sjellë në Korçë këto ditë, përpos muzikës së zgjedhur, duke shijuar esencën e saj.

Numri i të pranishmëve në natën finale ishte më shumë se 50 mijë, të cilët, përpos temperaturave të freskëta, konsumuan “Birra Korça” pa fund dhe qëndruan deri vonë, të shoqëruar nga tingujt më të mirë muzikorë. Mbrëmja muzikore u finalizua me një shfaqje të jashtëzakonshme nga kën-gëtarët e pranishëm. Gent Bushpepa, Kejsi Tola, Olta Boka, Vesa Smolica e Juliana Pasha ndezën natën finale për disa orë me radhë, për të kënduar bashkë me publikun në shesh.

E kuruar në perfeksion si dhe me një prani të jashtëzakonshme njerëzish, nata e fundit u shoqërua me një konsum të lartë të “Birra Korça”, e cila shënoi një rekord më vete.

Disa prej të pranishmëve, për “Gazetën Shqiptare” thanë se kanë marrë pjesë të 5-ta netët e Festës së Birrës, dhe kanë mbetur të surprizuar me organizimin, “Birrën Korça”, më të mirë se asnjëherë tjetër, dhe muzikën më të mirë të përcjellë nga këngëtarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb