Një “Airbus A380” i kompanisë “Emirates Airlines”, i njohur si avioni më i madh në botë dhe i aftë për të transportuar mbi 500 pasagjerë, fluturoi trembëdhjetë orë nga Dubai në Brisbane të Australisë, me një të çarë rreth një metër e gjysmë të gjerë në trupin e tij.
Fluturimi me kohën më të gjatë mbi Oqeanin Indian vazhdoi pa probleme pavarësisht të çarës gjigante, e cila që për fat ka qenë në një nga pjesët pa presion të avionit.
Sipas ekspertëve ajo mund të jetë shkaktuar nga një rrufe në qiell ose një gomë e çarë, por gjithsesi dinamika dhe trajektorja janë në qendër të hetimit nga Atsb, organi hetues australian.
Udhëtimi
“Airbus A380”, me numër regjistri A6-Evk është montuar pak më shumë se tre vjet më parë dhe u ngrit në fluturim më 1 korrik nga pista 30 në të djathtë të aeroportit të Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në orën 3:10 me orën lokale, me destinacion Brisbane.
Fluturimi Ek430 po funksiononte siç duhej deri në momentin kur u konstatua vrima gjigande në trupin e avionit.
Nuk dihet për momentin se sa pasagjerë ndodheshin në bord, por avioni ka 14 ndenjëse të klasit të parë, 76 biznes dhe 426 ulëse ekonomike, pra në total 516 vende.
A380, i cili mban një ngjyrë të veçantë kushtuar Muzeut të së Ardhmes në Dubai vazhdoi normalisht trajektoren e tij. Ekziston vetëm një anomali sipas gjurmëve të faqeve të specializuara si “Flightradar24”, e cila shfaqet 34 minuta pas ngritjes, kur shpejtësia kalon në pak sekonda nga 770 kilometra në orë në 733 dhe më pas rritet sërish.
Kërkesa e pilotëve
Në afërsi të Brisbane, pilotët njoftuan kullën e kontrollit se kishin një problem me njërën nga rrotat dhe kështu kërkuan ndërhyrje urgjente si masë paraprake. Sapo u ulën në tokë, stafi vuri re vrimën në trup afër krahut të majtë.
Nga lloji i vrimës duket se është hedhur diçka nga brenda në pjesën e jashtme të avionit. Kontrollet e mëvonshme treguan mungesën e njërit prej bulonave që sigurojnë gomat.
Airbus A380 është ende i ndaluar në Australi për riparime dhe nuk dihet se kur do të mund të largohet, ndërsa fluturimi i kthimit nga Brisbane për në Dubai u anulua si rezultat i këtij incidenti.
Dëshmitari
Në uebsajtin e specializuar “AvHerald”, një lexues, i cili e identifikon veten si Chris, thotë se ishte pasagjer në atë fluturim.
“Unë isha ulur në këtë fluturim rreth dhjetë rreshta para të çarës. Rreth 30-45 minuta pas ngritjes dëgjuam një zhurmë të madhe, u ktheva nga gruaja ime dhe i thashë se çfarëdo që të ishte do të shqetësonte pilotët. Sigurisht që nuk dukej si turbulencë normale”, rrëfen ai.
Udhëtari gjithashtu thotë se pjesa tjetër e fluturimit shkoi mirë. “Nuk dëgjova zhurma të tjera të çuditshme, por para uljes na thanë se duhej të uleshim në një pistë tjetër dhe të kërkonim një teknik të inspektonte aeroplanin pasi dyshohej se kishte një problem me mjetet e uljes”, tregon ai më tej.