Rabiot është mbase vetëm fillimi i një kolonizimi francez në mesfushën e Juventusit. “Zonja e Vjetër” nuk heq dorë nga ideja për të rikthyer dhe një herë Pogban në Torino, është pikërisht mesfushori i Man.United dhurata më e madhe për trajnerin Sarri. 26-vjeçari nuk është vetëm një objektiv i Juves por ka qenë dhe mbetet një fiksim i Zidane dhe Perez.

Reali ka lëvizur prej kohësh duke i ofruar fillimisht “djajve të kuq” shërbimet Isco plus para kesh, më pas i ofruan edhe Bale por as uellsiani nuk ka ndërmend të kthehet në Premier League aq më tepër duke u përfshirë në një tratative të tillë. Reali ka para dhe lojtarë me më shumë emër, ndërsa Juve po përpiqet të shfrytëzoj në maksimum agjentin e tij Mino Raiola. Man.United vijon të insistoj, Pogba mund të largohet vetëm për 150 milion euro, një kërkesë e cila është shumë e madhe për Paraticin.

“La Gazzetta dello Sport”, shkruan se Juventus kërkon të bind United duke përfshirë në këtë tratative disa lojtarë të cilët pëlqehen shumë nga trajneri Solskjaer. Emri i parë është i Paulo Dybala, por argjentinasi mund të përfshihet edhe në shkëmbimin me Inter për Icardin. Emri i dytë është ai i Alex Sandro i cili ndiqet prej kohësh nga Man.United. Emri i tret është ai i Blaise Matuidi, një lojtar i cili administrohet nga Raiola. United i mbetet të zgjedh dhe të vendos përfundimisht se çfarë do të bëjnë me francezi, Pogba e ka thënë fjalën e tij, për të ky ishte viti i fundit me Man.United.
(BalkanWeb)