HOLLYWOOD- Filmi shqiptar “Bota” nominohet në kategorinë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, njofton hollywoodreporter.com.

“Filmi i skenaristes Iris Elezi, e cila është edhe regjisore së bashku me bashkëshortin e saj të lindur në SHBA, Thomas Logoreci, end të kaluarën dhe të tashmen në një histori të fuqishme dashurie dhe atraksioni”, shkruan portali i Hollywood-it.

“Ngjarja zhvillohet në një humbëtirë e përdorur për të izoluar kundështarët e regjimit komunist”, shton ai. “Filmi trajton historinë e Benit (Artur Gorishti), një kriminel i rëndomtë dhe tip donzhuani dhe të së dashurës së tij të re dhe të bukur Nora (Fioralba Kryemadhi), e cila është edhe kamariere në lokal, në një lagje periferike të mbuluar nga plehrat, që shërben si një sfond i zymtë për një fabul të pasur dhe krijuese, që të mbeten në mendje”, thekson hollywoodreporter.com.

Filmi, i cili pati premierën absolute botërore vitin e kaluar në Festivalin “East of the West” në Karlovi Vari, fitoi çmimin e kritikës FEDEORA. Ai ka fituar edhe një çmim special jurie në SEEFest, në Los Anxheles dhe çmimin e publikut dhe atë FIPRESCI në festivalin e filmit në Rejkjavik. Javën e kaluar ai fitoi çmimin e filmit më të mirë me metrazh të gjatë në Festivalin e Filmit Ballkanik në Pogradec.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb