TIRANE-Miq të zgjedhur dhe gazetarë, verë e mirë dhe biseda që kapërcente nga politika tek letërsia, ishte mbrëmja e djeshme në “Friends Book House”, ku shkrimtari Ben Blushi ishte në qendër të vëmendjes dhe arsyeja e kësaj mbrëmjeje. Një ceremoni krejt e veçantë për marrjen e çmimit europian të letërsisë për herë të parë nga një shqiptar, një ceremoni që organizohet në Tiranë pas asaj të madhes dhe pompozes në Bruksel.

Dhe mesa duket një ceremoni që i shkonte për shtat shijeve të Blushit, i cili ndryshe nga festa e Brukselit, ku nuk i kishte shpëtuar dot traditës europiane për të lexuar një faqe të librit të tij për të pranishmit, dje ia dha vetes lirinë që të refuzonte ta bënte këtë. “Nuk lexoj dot fare atë që shkruaj, me përjashtim të rastit kur jam në Parlament”, tha ai, duke e shpurë dashje pa dashje bisedën që në nisje të saj në anën tjetër të medaljes, politikën, pa të cilën nuk kuptohet figura e Blushit, i cili prej shumë vitesh është eksponent në Partinë Socialiste.

Dhe ashtu siç të pranishmit vazhdojnë të kërkojnë me kureshtje se si Blushi shkrimtar jeton brenda Blushit politikan, dhe ai vetë nuk i shpëtoi dot ngasjes pa e cekur këtë temë, duke dhënë në fund dhe material për mediat, por me lutjen që të mos i jepej rëndësia që s’i takon në një natë festimi për një çmim të rëndësishëm. Por në fakt, Blushi ashtu siç e parashikoi dhe vetë, e humbi bastin me atë që ai e cilësoi “pabesinë e gazetarëve”, pasi dilema e tij mes të qenit një politikan i përkushtuar politikës dhe shkrimtarit që jeton për letërsinë, zgjoi kureshtje në mënyrë të natyrshme tek publiku dhe lexuesi i tij.

“Politika, një kënaqësi që po reduktohet”

“Nëse ka njerëz që politika e ditës u jep njëfarë kënaqësia, besoj se ata janë shumë pak përveç atyre që e bëjnë. Ata që e shohin nga jashtë janë të pamotivuar, kështu që arsye për ta vazhduar ka plot, por çështja është se sa kënaqësi iu jep kjo njerëzve si puna ime. Janë kënaqësi që po vijnë duke u reduktuar për fat të keq, sepse është një përsëritje e pafund në një 20 vjet.

Edhe para 4 vjetësh kam qenë në një cikël të tillë, u kthye prapë pas 4 vjetësh, bojkot, hyjmë në parlament, nuk hyjmë në parlament, do ketë zgjedhje, do ketë akuza për prishje zgjedhjesh…nuk mbaron kjo histori. Dhe meqë unë jam personazh i një historie që nuk mbaron duket si një telenovelë, që nga seria e parë deri tek e fundit është po ajo. Por unë shkoj me shpresën që këto fjalë s’do jenë në media, se nuk është arsyeja pse u mblodhëm”, tha Blushi gjatë ceremonisë, i nxitur nga një pyetje në fakt e botuesit të librave të tij, Henri Çili.

Por ndërkaq më vonë, Blushi sqaroi se politika nuk e pengon të bëjë letërsi, ndërsa shtoi se njerëzit që merren me politikë nuk ka arsye pse të heqin dorë nga profesionet e tyre të para apo profesionet e gjetura rrugës vetëm për këtë shkak.

Por ndërkaq tek politika u rikthye sërish biseda nga Maks Velo, i cili megjithëse sqaroi disa herë që nuk ka asgjë kundër Blushit pse është një politikan që bën letërsi, tha se është e pakuptimtë pse ka kaq shumë politikanë e deputetë që shkruajnë, një fenomen që sipas tij është tërësisht shqiptar e nuk e gjen në asnjë vend të zhvilluar perëndimor. Ndërsa Blushi preferoi t’i përgjigjej Velos me një batutë se “edhe nëse për ty ky është defekt, defektet janë produkt i lirisë”.

Zakonet e të shkruarit

Kurioziteti për zakonet e të shkruarit është gjithmonë i pranishëm tek lexuesi dhe Ben Blushi foli dje për herë të parë mbi këtë gjë. Ai ndau për herë të parë publikisht disa nga ato gjërat e vogla që e bëjnë shkrimtarin dhe rutinën e tij të punës. “Ishte një torturë që të krijoja rutinën”, – pranoi ai që në nisje duke treguar një histori me një shkrimtar që i kishte dhuruar një libër dhe ai e kishte ndjekur nga pas për të mësuar “sekretet” e kësaj rutine, sekrete që ai thotë se nuk i mësoi, por i zbuloi vetë gjatë punës.

Blushi pranoi se kishte dhe ai disa zakone të tij të të shkruarit, si ai i të shkruarit vetëm gjatë dimrit dhe një sekret që iu zbulua nga miqtë, ndërrimi i një laptopi për çdo libër që shkruante, duke i dhënë laptopit vlerën e një blloku shënimesh nëse do të kishte jetuar në një kohë tjetër. “Ka qenë një torturë e vërtetë për mua që të arrij ta krijoj rutinën, se si të kthehesh nga një amator në një industrial, por më në fund arrita ta krijoj.

“Por koha nuk më dha ndonjë përgjigje, përgjigjen e gjeta vetë. Sa më takon mua, unë jam shkrimtar i dimrit, nuk shkruaj dot në verë. Mezi pres dimrin të shkruaj, që nga shtatori deri në mars, nuk kam mundur të shkruaj gjatë verës. Pi cigare shumë, rri 4 deri në 7 orë në ditë, por nuk izolohem, nuk e fik asnjëherë celularin”, u rrëfye Blushi.

Çmimi, “Otello” po përkthehet në gjuhët e Ballkanit

Romani “Otello, Arapi i Vlorës”, i cili është i dyti i Ben Blushi pas “Të jetosh në Ishull”, pas marrjes së Çmimit Europian për Letërsinë do të përkthehet në shumë gjuhë, duke nisur që nga ato të vendeve të rajonit ballkanik e në gjuhë të BE-së gjithashtu. Pikërisht për këtë fakt, Blushi e quan këtë çmim një mbështetje të fortë për një gjuhë si shqipja, në mënyrë që të hyjë në tregun ndërkombëtar të letërsisë me anë të përkthimit.

“Një autor i huaj, sado i dobët të jetë, prapë hyn në treg me një gjuhë të fortë; në rastin e shqipes dhe shumë vendeve të tjera të rajonit, ky çmim të inkurajon dhe është një varkë për të kapërcyer në një breg tjetër”, – tha Blushi.

Diana Çuli: Letërsia e Blushit ka dimensione të fuqishme

Shkrimtarja Diana Çuli, e cila ka qenë dhe anëtare e jurisë që ka përzgjedhur ndër 100 vepra librin e Blushit për të marrë pjesë në këtë çmim europian, tha gjatë promovimit të çmimit në Tiranë se ka shumë arsye pse Blushi u përzgjodh dhe pse u pëlqye vepra e tij “Otello” edhe nga juritë europiane. Sipas Çulit, letërsia e Blushit ka shumë dimensione të fuqishme.

“Ti mund t’i bësh reklamë sa të duash një libri, por nëse ai nuk është një libër i mirë, nuk e lexon njeri”, – tha ndër të tjera Çuli. Ndërkohë ajo shtoi se letërsia ka zhvillimin e vet, nuk ecën paralel me zhvillimet historike. “Për ne si popull i vogël është fat që të prodhojmë dy apo tre shkrimtarë të mirë në 10 vjet, sepse fjala vjen, Italia është një vend i madh dhe dy- tre shkrimtarë të mirë ka”. Ndërkohë Çuli ngriti shqetësimin e përkthyesve, një problem administrativ siç e quajti ajo, që duhet të zgjidhet duke përgatitur përkthyes që gjuhën e huaj e kanë gjuhën e nënës dhe njohin shqipen shumë mirë, në mënyrë që librat e mirë të përkthehen në sa më shumë gjuhë të botës.

Çfarë është çmimi letrar “European Union Prize for Literature”

Shkrimtari shqiptar, Ben Blushi u shpall këtë vjeshtë fitues i çmimit letrar “European Union Prize for Literature”, një titull që u jepet autorëve më të mirë të rinj në Europë. Këtë vit atë e fituan edhe 12 shkrimtarë të tjerë. Është hera e parë që ky çmim i jepet një autori shqiptar. Blushi u nderua me këtë çmim për librin “Otello, Arapi i Vlorës”.

Fituesit u shpallën në Panairin e Librit, në Frankfurt “Frankfurt Book Fair”. Ceremonia zyrtare u organizua në Bruksel, më 18 nëntor dhe çmimet u ndanë nga Komisionerja e BE-së për Kulturën. Konkurrimi për këtë çmim është i hapur për vendet që marrin pjesë në “Europe Creative”, një program financimi për sektorët kulturorë dhe krijues të BE –së.

Çdo vit juritë kombëtare në një të tretën e vendeve, -13 juri kësaj here- emërojnë autorët fitues. Komisionerja e BE –së për Edukimin, Kulturën dhe Rininë tha se “ky çmim u dedikohet autorëve të rinj të Europës, pavarësisht se nga vijnë apo gjuhës që flasin. Qëllimi është shfaqja e literaturës më të mirë bashkëkohore, nxitja e shitjeve ndërkufitare dhe promovimi i përkthimit, publikimit dhe leximit të literaturës së vendeve të tjera.

Për herë të parë ky çmim është dhënë në vitin 2009. Ai bëhet kështu i pari shqiptar që e ka fituar këtë çmim. Bashkë me Blushin janë gjashtë shkrimtarët nga Ballkani që kanë fituar çmimin si autorët më të mirë, duke e bërë letërsinë ballkanike, dominuese në Bashkimin Europian. Po me librin “Otello, Arapi i Vlorës”, Blushi u shpall Autori i Vitit, në Panairin e Librit në Tiranë, në vitin 2009, një vlerësim që nxiti jurinë shqiptare, siç pranoi dje kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ka ndikuar tek vendimi i jurisë për zgjedhjen e tij. Ky është botimi i dytë i Blushit. Ai ka botuar edhe romanet “Të jetosh në ishull” dhe “Shqipëria”, ndërsa këtë vit botoi esenë “Hëna e Shqipërisë”, të gjitha botime të UET-Press.

Gjatë ceremonisë në Bruksel, Blushi tha se ia dedikon këtë çmim viktimës së fundit të ISIS, punonjësit amerikan të ndihmave, i cili u vra barbarisht përpara disa ditësh në Siri, Peter Kassig. Blushi u shpreh se përmes këtij dedikimi synon një sensibilizim të lartë të institucioneve europiane për të luftuar grupe terroriste në të gjithë botën, të cilat kërcënojnë vlerat e lirisë dhe civilizimin tonë.

(d.b/MAPO/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: