Kostot e prodhimit dhe shtrenjtimi nga fermerët, pritet sërish rritje për çmimin e bulmetit nga qumështi i deles
Çmimet e nënprodukteve të qumështit si djathi dhe gjalpi të prodhuar nga qumështi i deles do të shënojnë rritje në muajt në vijim në tregun me pakicë.

Kreu i shoqatës së industrisë së përpunimit të qumështit Donjaldo Hoxha thotë për News 24 se kjo rritje do të aplikohet për shkak të shtrenjtimit të qumështit nga fermerët tek të cilët fabrikat e përpunimit e blejnë 1 litër qumësht me 160 lekë nga 110 që ishte më parë.

“Aktualisht viti 2023 paraqet situatë të vështirë për operimin e sektorit të përpunimit të qumështit. Nëse do të flasim konkretisht kemi qumështin e deles dhe të dhisë që është një qumësht sezonal që ka një ndryshim të çmimit me të cilin blihet nga fermerët dhe blegtorët që e prodhojnë. Nëse më parë çmimi ka qenë 110 lekë pa TVSH për litër tashmë ai është deri në 160 lekë pa TVSH për litër. Ky ndryshim në çmimin e lëndës së parë të qumështit të të imëtave, të deleve dhe dhive, automatikisht do të rëndojë në kostot e operimit të sektorit të përpunimit të qumështit për ato kompani që operojnë me qumësht dele apo qumësht dhie. Kjo kosto e shtuar do të bëj që secila kompani të bëj analizat e veta të kostos dhe të ketë çmimet përkatëse në treg për produktet e tyre me qumësht dele dhe dhie”, tha Hoxha.

Në shoqatën e Industrisë së përpunimit të qumështit bëjnë pjesë 8 kompani të mëdha. Sipas kreut të shoqatës, edhe në vitin 2022 sektori i përpunimit të qumështit ka pasur kosto të shtuara për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, naftës si dhe gazit.

“Gjatë vitit 2022 sektori i përpunimit të qumështit është ndeshur me kosto të shtuara në energji elektrike, naftë, gaz, por gjithashtu është vendosur dhe një akcizë për gazin prej 6 lekësh për litër si dhe rritje të lëndëve paketuese për shkak se kjo industri u impaktua nga çmimet e energjisë dhe naftës. Të gjitha këto bashkë bënë që kostot e sektorit të ishin të larta të cilat u reflektuan në ndryshime çmimesh gjatë periudhës qershor- korrik-gusht dhe shtator 2022”, deklaroi Hoxha.

INSTAT raportoi se në muajin dhjetor të vitit 2022, çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të bulmetit ishin rreth 25% më të larta se në dhjetorin e vitit 2021. Bulmeti ishte grupi me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: