Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo akuzon Ramën se ka rritur çmimin e energjisë elektrike për familjet shqiptare dhe biznesin edhe pse në 2013 premtoi të kundërtën.

Bozdo thekson se në qeverinë e Ramës energjia elektrike pësoi rritjen më të madhe të çmimit në 30 vitet e fundit.

Sipas tij çmimi u rrit mesatarisht me 20%, për bizneset 35% teksa një familje shqiptare në vit paguan 64 mijë lekë më shumë nga ç’paguante më parë.

 

STATUSI NGA ENO BOZDO

Në vitin 2013 Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar, mes të tjerash, uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin.

Në vitin 2015 Rama bëri pikërisht të kundërtën e asaj që premtoi, duke rritur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjare ashtu edhe për biznesin. Ishte rritja më e madhe në 30 vitet e fundit!

Si pasojë e kësaj rritjeje, sot 88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike.

Kështu mesatarisht, një familje shqiptare paguan 64 mijë lekë energji më shumë në vit nga ç’paguante më parë. Për biznesin çmimi u rrit mesatarisht 20%, ndërsa për kategori të caktuara të biznesit u rrit deri në 35%.

Për shkak të reformave të munguara në sektorin e energjisë elektrike, Banka Botërore (Enterprise Survey 2019), përllogarit se 2% e prodhimit humbet pikërisht për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji, ndërsa 48% e biznesit deklaron se mbajnë gjenerator.

Asnjë gënjeshtër e kryeministrit, sado në gjakftohtësi të thuhet, nuk e mbulon dot të vërtetën: çmimi energjisë është rritur ashtu siç janë rritur pafund  taksat, kosto e jetesës, varfëria dhe pamundësia e një familje mesatare për të jetuar normalisht në Shqipëri.

Por ndryshimi do të vijë. Asgjë dhe askush nuk e ndal dot! Në 25 prill do të hapet një epokë e re për shqiptarët dhe Shqipërinë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb