Çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare zbret në nivelin më të ulët, që prej agresionit rus në Ukrainë. Prej dy ditësh në bursë një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë që ishte çmimi në fund të korrikut. Kjo është rënia më e lartë e regjistruar që prej 16 marsit të këtij viti, kur nafta zbriti në 95 dollar fuçia.

Kjo rënie e çmimit në bursë nuk kaloi pa u komentuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Ne arritëm të lirojmë një milion fuçi naftë në ditë nga rezerva jonë dhe mblodhëm partnerët tanë globalë për të liruar rezervat e tyre. Tani çmimet janë në rënie rekorde”, deklaroi dje Biden.

Por teksa në të gjitha vendet është reflektuar kjo ulje, çuditërisht kjo nuk do ndodh në Shqipëri. Për herë të fundit Bordi i Qeverisë është mbledhur para 3 ditësh kur bëri një ulje “simbolike” të çmimeve të naftës dhe benzinës.

Ndërkohë që prej datës 2 gusht, çmimi i naftës në bursë ka ndjekur një trajktore rënëse, Bordi në Tiranë, duket se ende nuk i ka marrë përditësimet e fundit.

E çuditshmja është që Bordi i Qeverisë mblidhet urgjent kur rritet çmimi në bursë, ndërkohë që kur çmimi ulet, kjo nuk ndodh.

Pavarësisht reagimeve në rrjetet sociale të qytetarëve, çmimi i naftës dhe benzinës në Shqipëri vijon të jetë më i larti në rajon dhe i krahasuar me shumë vende të BE-së, ku standardi i rrogave është disa herë më i lartë se në vendin tonë.

Teksa Bordi i Qeverisë nuk po mblidhet, qytetarët me të drejtë pyesin nëse: Bordi ka marrë pushimet? Bordi është i paaftë të kontrollojë çmimin e karburanteve në interes të qytetarëve apo është për të është më i rëndësishëm xhepi i importuesve sesa ai i taksapaguesve, prej të cilëve ky bord edhe paguhet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb