JAPONI -Nico Rosberg nuk ndalet më dhe tashmë titulli i parë Botëror në Formula 1 është shumë pranë. Piloti gjerman dominoi në Çmimin e Madh të Japonisë duke përfituar nga një tjetër start i tmerrshëm i garës nga ana e rivalit të tij, Lewis Hamilton.

Anglezi pas gabimit fillestar arriti të rikuperonte, shumë pozicione duke e përfunduar garën në vendin e tretë por tanimë e sheh veten 33 pikë pas Rosberg në klasfikimin e përgjithshëm, kur mbeten edhe 4 gara deri në fund të sezonit.

Megjithatë pavarësisht gjithckaje në fund kishte festë për Mercedesin që fitoi matematikisht titullin kampion për konstruktorë, i treti radhazi për skuadrën gjermane.

Vendi i dytë në Suzuka shkoi për Max Verstappen i cili me Red Bullin e tij zhvilloi një tjetër garë pozitive, ndërsa zhgënjeu edhe njëherë tjetër Ferrari.

Vettel e Raikkonen me Ferrarin e tyre nuk mundën të shkonin më tepër se vendi i katërt dhe i pestë, pozicione që mund të konsiderohen deri diku pozitive pas dështimit të garave të fundit. Gara e ardhshme do të jetë Çmimi i Madh i Amerikës pas dy javësh.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb