Çmimi i naftës Brent mund të arrijë deri në 150 dollarë për fuçi për shkak të luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës dhe embargon e Bashkimit Evropian ndaj importeve të naftës ruse, tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA) themeluesi i platformës analitike të industrisë së naftës dhe gazit dhe inteligjencës së biznesit me bazë në Malajzi, “Oil Industry Insight”, Alahdal A. Hussein.

Udhëheqësit e BE-së u takuan të hënën për të diskutuar pakon e gjashtë të sanksioneve që përfshin ndalimin e pjesshëm të naftës ruse. Në takimi u ra dakord për të shkurtuar 90 për qind të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të vitit 2022.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord “që pakoja e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë do të përfshijë naftën e papërpunuar si dhe produktet e naftës të dërguara nga Rusia në shtetet anëtare, me një përjashtim të përkohshëm për naftën bruto të dërguar nga tubacioni”.

Embargoja përfshin naftën në det dhe do të përjashtojë pjesërisht naftën e tubacionit, të cilën Hungaria do ta përdorë për të transportuar naftë nga tubacioni i Druzhbës Jugore.

Ndalimi do të finalizohet pas marrëveshjes për detajet teknike më vonë gjatë javës.

Çmimi i Brentit tashmë ka shkuar në 120 dollarë për fuçi të martën, menjëherë pas shpalljes së vendimit.

– Vështirë të gjendet alternativa për naftën ruse

“Nuk do të ketë ndonjë zëvendësim brenda natës për naftën dhe gazin rus. Nëse supozojmë se ata mbyllën sytë dhe thjesht vazhduan zbatimin e embargos pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, atëherë ata do të duhet të mbështeten tek Afrika, Lindja e Mesme dhe SHBA-ja në përpjekje për të zëvendësuar naftën ruse. Kjo do të çojë në rritje të madhe të çmimeve të naftës”, tha Hussein.

Ai tha se Kina dhe vendet aziatike do të përfitojnë nga ndalimi pasi Rusia do të ofrojë naftën e saj me tarifa më të ulëta për këto tregje, në përpjekje për të mbajtur pjesën e tregut global.

“Çmimet e naftës do të mbeten të larta për sa kohë që vazhdon lufta”, tha ai dhe shtoi se për shkak të embargos, dita kur nafta e papërpunuar Brent mund të arrijë në 150 dollarë “nuk është shumë larg”.

– Trajektorja e naftës së papërpunuar Brent ngjitet përpjetë

Dr. Mamdouh G. Salameh, ekonomist ndërkombëtar i naftës dhe profesor i Ekonomisë së Energjisë në Shkollën e Biznesit të Evropës ESCP tha se shihej një prirje për rritjen e çmimeve edhe përpara shpërthimit të konfliktit në Ukrainë.

Ai sugjeroi se kjo rritje u mbështet nga një treg global i naftës në gjendjen e tij kulminante që nga rënia e çmimit të naftës në vitin 2014 dhe kërkesës globale për naftë në një fazë super-ciklit të përshpejtimit të rritjes së kërkesës, e cila mund të zgjasë më shumë se 10 vjet.

Duke përsëritur se nafta e papërpunuar Brent filloi të rritet në janar 2021 duke e mbyllur vitin në 94-95 dollarë dhe duke arritur në 100 dollarë në janar 2022, Salameh theksoi se konflikti në Ukrainë shtoi një premium të vlerësuar prej 25-30 dollarë për një fuçi.

Trajektorja aktuale e naftës së papërpunuar Brent është në rritje, sepse tregu është shumë i ngushtë me një kapacitet global të prodhimit rezervë të naftës në tkurrje, përfshirë OPEC+ prej jo më shumë se 2.0-2.5 milionë fuçi në ditë, sipas Salameh.

Pas ndalimit të importeve, Brent mund të arrijë 130-140 dollarë për fuçi, paralajmëroi ai.

– Paqëndrueshmëria do të vazhdojë

Christof Rühl, studiues i Lartë në Qendrën për Politikat Globale të Energjisë të Universitetit të Kolumbias në qytetin e New Yorkut theksoi se çmimet e naftës po shkojnë në rritje në afat të shkurtër, por për muajt e fundit janë tregtuar me paqëndrueshmëri të lartë – një gamë afërsisht midis 100 dhe 110 dollarë.

Situata aktuale karakterizohet nga frika e një ngadalësimi të aktivitetit ekonomik global, përfshirë Kinën dhe nga zgjerimi i sanksioneve të naftës kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian, tha Rühl, duke shtuar se e para ul çmimet dhe e dyta i rrit, dhe kjo shpjegon ‘zig-zagun’ që shihet aktualisht.

“Unë shoh që kjo paqëndrueshmëri të vazhdojë. Ekziston gjithashtu një aspekt i rëndësishëm që shpesh mungon. Ka një mospërputhje globale në anën e produktit, kështu që çmimet e produkteve për benzinën dhe veçanërisht për naftën janë rritur më shumë se çmimet e naftës së papërpunuar”, theksoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb