Deputeti Ervin Salianji ka reaguar me kritika ndaj qeverisë Rama. Salianji është ndalur tek çmimi i naftës, ndërsa thekson se në bursë ka pasur një rënie këtë javë, por në Shqipëri thotë ai, ka ndodhur e kundërta.

Gjithashtu Salianji bën me dije se Shqipërisë i duhet një qeveri që kujdeset për qytetarët dhe që garanton tregun e lirë nëpërmjet konkurrencës së ndershme.

Reagimi:

“Çmimi i naftës në bursë ka pasur rënie pikiatë këtë javë, në Shqipëri çmimi vazhdon në çmime stratosferike duke mos reflektuar rënien e çmimit në bursat ndërkombëtare. Kur ka rritje reflektohet menjëherë si me buton! Më përpara faji vendosej sa qeverisë, sa oligarkëve, ndërsa prej muajsh me krijimin e bordit të përbashkët faji është i marrëveshjeve kartel dhe bashkëpunimit të tyre me qeverinë!

Ky çmim nafte që ka sot Shqipëria po ta krahasosh me vendet e Evropës për fuqinë blerëse dhe pagat mesatare është njësoj sikur në Evropë të përballohej një çmim prej 15 eurosh për litër, ndërkohë që vetëm pak vende e kanë më shtrenjtë se ne!

Shqipëria ka nevojë për qeveri që kujdeset për qytetarët, që garanton tregun e lirë nëpërmjet konkurrencës së ndershme dhe ndalon me ligj krijimin e monopoleve që dëmtojnë ekonomitë familjare dhe bizneset!”, thekson Ervin Salianji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb