TIRANË

11 kompani prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës në vend kërkojnë uljen e çmimit të pullave fiskale në nivelet që aplikohet në vendet e Bashkimit Europian. Në një letër drejtuar kryeministrit, Kreut të kuvendit dhe tre institucioneve financiare, kompanitë thonë se cmimi i pullave fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian.

Bazuar në të dhënat dhe analizat e bëra prej ekspertëve tanë, na rezulton që cmimi i pullave fiskale në Shqipëri është më i shtrenjti në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore. Kjo është barra më e madhe parafiskale e cila nuk sjell ndonjë të mirë shtesë në fushën e sigurisë dhe monitorimit të zinxhirit furnizues.

Kontrata e koncesionit me kompaninë “Sicpa Security Solutions” SA është miratuar më 24 shkurt 2011 për vendosjen e pullave fiskale në mallrat e akcizës, si: birra, vera, cigaret, pijet alkoolike dhe barnat, kontratë që pritet të përfundojë këtë vit. Kompanitë shqiptare kërkojnë që pas përfundimit të kontratës të koncesionit, qeveria të tregohet e kujdesshme me procesin për vendosjen e tarifave të reja të pullave fiskale, pasi sic shprehen, shpenzimet që iu ngarkohen atyre, në disa raste shkojnë përtej logjikës financiare.

Shpenzimet që i ngarkohen bizneseve prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, për të garantuar pagesën e detyrimeve ndaj shtetit nëpërmjet pullës fiskale, në ndonjë rast shkojnë përtej cdo llogjike financiare. Në rastin e birrave për shembull, shpenzimet që kane bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale (pa marrë këtu parasysh vendosjen dhe problemet e tjera të lidhura me këtë proces), janë në rendin e 50% të detyrimit të akcizës, për njësi prodhimi!

Importuesit ngrenë si shqetësim se kompania “Sicpa Security Solutions” SA këtë shërbim e ofron edhe në Turqi dhe Gjeorgji me çmime gati 5 herë më të ulëta se në Shqipëri. Sipërmarrësit pohojnë se tarifat e larta në këto 10 vite vetëm kanë shtuar kostot dhe nuk i kanë mbrojtur nga konkurrenca e pandershme.

Roli dhe fuksioni i pullës fiskale është i njëjtë në të gjitha shtetet e sipërpërmendura dhe ne besojmë fort që cmimi deri në 10 herë më i lartë e nuk i sjell asnjë përfitim shtesë buxhetit të shtetit, mbi ato përfitime që merr cdo shtet tjetër i listuar më sipër. Gjithashtu ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji me cmime shumë herë më të ulëta.

Shtimi i kostove nga çmimet e larta të pullave fiskale është ngritur si shqetësim edhe më herët nga bizneset shqiptare. Në vitin 2014 këto shqetësime u mbështetën edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb