Çmimi “Kadare” i letërsisë, i kthyer tashmë në traditë, këtë vit në edicionin e tij të gjashtë, ka nisur pranimet e veprave në dorëshkrim që do të jenë pjesë e konkursit. Juria, ka mbajtur takimin e saj të parë, ndërsa sinopset dhe 15 faqe të veprës do të pranohen deri në datën 12 shkurt.

Preç Zogaj, kryetar i jurisë tha se “qëllimi i çmimit ‘Kadare’ është nxitja e të shkruarit”.
Çmimi i letërsisë “Kadare” nuk vlerëson veprën më të mirë të vitit, as arritjet e një autori. Ai synon nxitjen e lëvrimit të letërsisë pavarësisht emrit, duke mbështetur procesin e botimit dhe promovimit të veprës letrare.

Anëtari i jurisë, Ermir Nika, vërejti se është çmimi i vetëm që i pranon veprat në dorëshkrim. “Kjo është e rëndësishme sepse në këtë rast, mbështetet botimi i veprës”, tha Nika.

Ndër vite çmimi është fituar nga Loer Kume, Virgjil Muçi, Musa Ramadani, Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku. Si një rrekje për të zgjuar interesin ndaj letrave shqipe dhe autorëve tanë, “Kadare” merr emrin e një shkrimtari në zë. Anëtarja e jurisë, Genciana Abazi tha se “një çmim në pandemi, në kohë të vështira është një lajm shumë i mirë”.

Nga të gjitha aplikimet do të përzgjidhen 10 dorëshkrime që shpallen më 19 shkurt. Pas kësaj date duhet të dorëzohen dorëshkrimet e plota ndërsa fituesi do të shpallet më 28 shkurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb