Presidenti Ilir Meta ka publikuar foto nga takimi i fundit me Elez Biberajn në shkurt të këtij viti, i cili sot ka detyrën e drejtorit në detyrë të Zërit të Amerikës.

Meta ka publikuar artikullin e 30 viteve më parë të Zërit të Popullit, i cili hapte faqen e parë me titullin ‘’Ç’mund të presësh nga i biri i diversantit’’ një artikull kushtuar njollosjes së figurës së Elez Biberajt dhe familjes së tij.

Por Meta thotë se kujt do ja merrte mendja 40 vite më parë, vitin kur Elez Biberaj ‘djali i diversantit’ filloi punë në ”Voice of Amerika”, do të arrinte majat më të larta të medias së lirë.

Emërimi i tij si drejtor në detyrë i Zërit të Amerikës, për Metën është lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët.

STATUSI NGA ILIR META

Emërimi i zotit Elez Biberaj në pozicionin tepër të rëndësishëm të Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të “Zërit të Amerikës” është një lajm i madh dhe i gëzueshëm për mua dhe të gjithë shqiptarët.

I pakompromis në mbrojtje të fjalës së lirë dhe standardeve më të mira të gazetarisë, me një karrierë brilante në këtë fushë, si analist i respektuar dhe drejtues i suksesshëm për një kohë të gjatë, z.Biberaj ka marrë një vlerësim të merituar.

Z.Elez Biberaj është shembulli më i mirë se si një shqiptar në një sistem demokratik, falë talentit profesional dhe integritetit të lartë mund të shkëlqejë.

Kush e mendonte 40 vjet më parë se i “biri i diversantit” një ditë do arrinte majat më të larta të medias së lirë!

Falënderime dhe mirënjohje të thellë “Zërit të Amerikës”, që vijon të mbetet, jo vetëm një urë e pazëvendësueshme e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe një tribunë e fjalës së lirë dhe mbrojtjes së demokracisë! ????

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb