Barometri social-politik i Shqipërisë për vitin 2021, i publikuar mbrëmjen e kaluar dhe që pasqyronte disa problematika kryesore në vend, si papunësia, varfëria dhe korrupsioni, është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24.

I ftuar në studio, gazetari Arion Sulo iu drejtua autorit të këtij sondazhi, ish-ambasadorit Arben Çeku, se kush e ka fajin, qeveria apo qytetarët, pasi në sondazh këta të fundit shprehin pakënaqësi dhe në zgjedhje e votojnë sërish.

Lidhur me këtë, Arben Çeku tha se e vërteta është se qytetarët i kanë pakënaqësitë ndaj qeverisë, por në ditën e zgjedhjeve prevalon emocioni politik apo edhe interesat vetjake.

Diskutimet:
Sulo: Pata rastin ta shoh punimin dhe është një punë goxha e gjerë dhe e thelluar. 3 mijë veta është një kampion shumë i madh, në Shqipëri zakonisht bëjnë 1 mijë deri në 1200. Po ta shohësh, barometri ka varfëri, papunësi, korrupsion. Pas leximit kam një çështje kryesore, si ka mundësi që qeveria nuk paguan në zgjedhje? Kush e ka problemin, qeveria apo qytetari?

Çeku: Ky është edhe për neve problem. Kemi zbritur në Vlorë apo Shkodër, ku varfëria është thuajse e njëjtë. Problemet janë të qarta, por kur është puna për të votuar, aty prevalon emocioni politik, interesi vetjak. Nëse do të ishte një institut i huaj që bën këto sondazhe, do të krijonte një paqartësi, se si ka mundësi që 10 njerëz që pyeten kanë varfëri, pakënaqësi ndaj qeverisë, etj, dhe kur i pyet se kë do të votosh, e rivoton edhe një mandat tjetër, japin mbështetje. Në periudhat elektorale partitë politike kanë mekanizmat e tyre, dhe ne i bëjmë sondazhet, kur nuk ka shumë tension politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb