Rrjeti televiziv CNN pushoi nga puna shefin ekzekutiv Chris Licht pas një viti të trazuar në drejtimin e kanalit televiziv, që kulmoi me një profil negativ të tij, botuar në një revistë amerikane dhe njoftimet se ai kishte humbur besimin e gazetarëve të rrjetit.

Ndryshimi u njoftua në takimin e redaksisë së rrjetit CNN të mërkurën në mëngjes dhe erdhi vetëm dy ditë pasi zoti Licht tha se do të “luftonte fort” për të fituar besimin e njerëzve përreth tij.

David Zaslav, Shefi Ekzekutiv i kompanisë Warner Bros Discovery që ka në pronësi CNN-in, caktoi një ekip drejtues të përkohshëm prej katër personash dhe tha në mbledhjen e redaksisë se do të fillonte përpjekjet për të gjetur zëvendësuesin e zotit Licht.

Chris Licht kishte një mandat që të përpiqej ta bënte kanalin CNN më të pranueshëm për të dy krahët politikë të vendit pasi republikanët ishin bërë gjithnjë e më mosbesues ndaj rrjetit pas sulmeve të përsëritura ndaj tij nga ish-presidenti Donald Trump.

Por disa punonjës të kanalit amerikan të lajmeve e panë mandatin e zotit Licht për ndryshim si një mohim të punës së tyre të kaluar dhe një emision i drejtpërdrejtë me ish-presidentin Trump dhe një numër votuesish muajin e kaluar shkaktoi kritika të mëdha.

Më herët gjatë vitit, zoti Licht ndryshoi emisionin e mëngjesit, por kjo rezultoi e pasuksesshme dhe çoi në shkarkimin e gazetarit Don Lemon, i cili kishte punuar për kanalin CNN për një kohë të gjatë. Përpjekjet për ndryshime në emisionet e mbrëmjes lëvizën ngadalë. Emisioni i orës 21 mbeti pa drejtues të rregullt për më shumë se një vit, pas shkarkimit të gazetarit Chris Cuomo në dhjetor të vitit 2021. Së fundmi, gazetarja Kaitlan Collins mori drejtimin e këtij emisioni lajmesh.

Chris Licht ishte në krye të procesit të shkurtimeve të personelit vitin e kaluar pas vendimit të zotit Zaslav për të mbyllur shërbimin CNN+ vetëm disa javë pasi kishte filluar punën.

Chris Licht, i cili ka qenë producent i emisionit “Morning Joe” të kanalit MSNBC-së, emisionit të lajmeve të mëngjesit të kanalit CBS dhe emisionit Stephen Colbert, u emërua nga Shefi Ekzekutiv i Warner Bros Discovery, David Zaslav pak më shumë se një vit më parë për të zëvendësuar drejtuesin e atëhershëm, Jeff Zucker, i cili kishte mbështetje të madhe brenda rrjetit. Zoti Zucker u shkarkua pasi nuk kishte zbuluar marrëdhënien e tij me një kolege ekzekutive të kanalit CNN.

Zoti Zaslav tha në një deklaratë për personelin e kanalit CNN se puna “nuk ishte kurrë e lehtë, veçanërisht në një kohë përçarjeje dhe transformimi të madh.

“Chris punoi me zemër dhe shpirt”, tha ai. “Ai ka një dashuri të thellë për gazetarinë dhe këtë biznes dhe kjo ka qenë e dukshme gjatë gjithë mandatit të tij. Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan ashtu siç kishim shpresuar – dhe në fund të fundit kjo varet nga unë.”

Zoti Licht nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: