Grupi britanik, Coldplay ka njoftuar një turne të ri botëror në 2022, “sa më i qëndrueshëm i mundshëm” dhe pothuajse plotësisht i mundësuar nga panele diellore, një bateri portative e qëndrueshme dhe një platformë kinetike.

“Të luash drejtpërdrejt dhe të jesh i lidhur me njerëzit është arsyeja pse grupi ekziston, por, në të njëjtën kohë, ne jemi shumë të vetëdijshëm se planeti po përballet me një krizë klimatike”, shkroi Coldplay në Twitter.

“Anëtarët e grupit rok i kanë kaluar dy vitet e fundit duke u këshilluar me ekspertë të mjedisit për ta bërë këtë turne sa më të qëndrueshëm”, shtuan ata.

Për këtë turne të ri, duke festuar albumin e tyre të fundit “Music of The Spheres”, grupi do të përdorë “baterinë e parë të shfaqjes të karikueshme dhe të lëvizshme në botë”, në vend të gjeneratorëve të zakonshëm me naftë ose benzinë.

Fansat do të jenë në gjendje, gjithashtu, të prodhojnë energji elektrike për koncertin falë një dyshemeje kinetike dhe biçikletave elektrike, si edhe do të instalohen panele diellore.

Coldplay shpreson të ushqejë koncertet e tij “pothuajse tërësisht me energji të rinovueshme” dhe “të zvogëlojë gjurmën e tij të karbonit”, duke premtuar për të zvogëluar emetimet e tyre të dyoksidit të karbonit me 50 për qind, në krahasim me turneun e tyre 2016-2017.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb